Gjithçka që ndodhi dje në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së

Aktuale

Gjithçka që ndodhi dje në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së

Më: 4 gusht 2019 Në ora: 07:47
Kuvendi i LDK-se

Akuza për kërcënime e mungesë demokracie e përcollën edhe një tjetër kuvend të LDK-së.

Para fillimit të punimeve, Fatmir Sejdiu, ia zgjati dorën Isa Mustafës, por nga aty doli i mposhtur për herë të tretë nga i njëjti njeri.

Pasi nuk mori votat e mjaftueshme të delegatëve për t’u nominuar për kandidat, Sejdiu doli i pari nga kuvendi i pakënaqur, pasi sipas tij, delegatët nuk votuan lirshëm.

Por, më ashpër është shprehur anëtarja dhe ish-deputetja e kësaj partie, Melihate Tërmkolli, që doli menjëherë pas Sejdiut.

Ngjarje të tilla, sipas saj, nuk kanë ndodhur as në periudha komuniste, duke shtuar se delegatët, kanë qenë të kërcënuar.

Mustafën e quajti Ministër të Rrahman Morinës.

E Lutfi Haziri, që javë më parë e kishte vetëshpallur kandidaturën për kryetar, vetëm për t’u tërhequr këtë javë, ka thënë se procesi ishte demokratik.

Me pajtimin që Mustafa të jetë kandidat konsensual, Haziri tha se janë evituar 4 kandidatura.

Lidhur me akuzat e Sejdiut, Haziri tha se po të merrte votat për nominim, zgjedhja do të bëhej me vota të fshehta.

Në fjalimin e tij të fitores, Mustafa i ka hedhur poshtë akuzat e të pakënaqurve dhe ka mohuar se ndokujt i është kërkuar tërheqja nga gara.

Derisa deputetja Vjosa Osmani, një prej figurave të kësaj partie, që ishte përfolur për kandidate të mundshme, para fillimit të punimeve të kuvendit, përmendi punët e para që duhen bërë nga strukturat e reja të partisë.

Kushti që një kandidat të marrë 50%+1 nga delegatët për t’u nominuar për kandidat, sipas saj, duhet ndryshuar, pasi nuk është demokratike.

Kryetari i rizgjedhur i partisë Isa Mustafa, në fjalimin e tij pas procesit zgjedhor, tha se tani hapi i radhës për LDK-në do të jetë përgatitja për zgjedhjet qendrore, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Nga nesër do të fillojmë të përgatitemi për zgjedhje. Unë sot u kam bërë ftesë publike partive politike që të garojmë një nga një për zgjedhje dhe pastaj të bashkohemi me ata që na bashkon program”, shtoi Mustafa.

LDK njihet si parti që përpiqet të trashëgojë frymën politike të liderit dhe themeluesit të saj, Ibrahim Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat