LDK-ja më e bashkuar se kurrë, Mustafa paralajmëron fitoren: S’ka kush që na del para!

Aktuale

LDK-ja më e bashkuar se kurrë, Mustafa paralajmëron fitoren: S’ka kush që na del para!

Nga: A.ZH Më: 4 gusht 2019 Në ora: 13:48
Kuvendi i Nëntë Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, u është drejtuar veprimtarëve të kësaj partie dhe qytetarëve në një postim në Facebook.

Ai teksa ka komentuar zgjedhjet e djeshme në këtë parti, ku mori besimin për mandatin e tretë si kryetar, ka thënë se në Kuvendin Zgjedhor, u demonstrua një kulturë demokratike, përcjell Bota sot.

Këtë kulturë, sipas Mustafës, LDK-ja e ka trashëguar nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

Mustafa ka theksuar se Kuvendi i djeshëm ka bashkuar të gjitha gjeneratat, duke paralajmëruar se LDK-ja do të fitojë zgjedhjet nacionale.

“Kur jemi bashkë, s’ka kush që na del para!”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë i Isa Mustafës:

Veprimtare e veprimtarë të LDK-së. Ju që meritoni respektin më të madh.

Dje përfunduam Kuvendin e Nëntë Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga 355 delegat, edhe pse në periudhë pushimesh, morën pjesë 350, që flet për përgjegjësinë e lartë dhe përkushtimin e tyre për LDK-në dhe vlerat e saj. Unë u jam shumë mirënjohës!

Në Kuvend u demonstrua një kulturë demokratike, e muratuar me durim dhe përpjekje të mëdha gjatë 30 vjetëve të zhvillimit dhe ekzistencës dhe veprimit të LDK-së. E trashëguar dhe e kultivuar me kujdes dhe respekt nga Kryetari dhe Presidenti ynë Historik, Ibrahim Rugova. Kjo është vlerë e jonë e përbashkët !

Kuvendi ynë unifikoi diversitetin tonë të mendimit dhe të veprimit, që emrues të përbashkët e ka programin tonë politik të qendrës së djathtë, dhe për më shumë e ka Kosovën tonë. Kuvendi na bashkoi të gjithëve. Të gjitha gjeneratat dhe të gjitha aspiratat. Kështu, bashk, do të shkojmë drejtë fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashk, s’ka kush që na del para!

E konsideroj veten të nderuar me besimin që ma dhanë delegatët e Kuvendit. Këtë besim e meritojnë dhe e kanë merituar shume veprimtarë dhe veprimtare të LDK-së. LDK ka njerëz të mrekullueshëm.

Besimin tuaj e konsideroj përgjegjësi ndaj gjithë juve! IM

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat