Menaxhmenti i ANP “Adem Jashari” kërcënon kryesindikalistin Bashkim Latifi

Aktuale

Menaxhmenti i ANP “Adem Jashari” kërcënon kryesindikalistin Bashkim Latifi

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 13:40
Menaxhmenti i ANP “Adem Jashari” kërcënon kryesindikalistin Bashkim Latifi

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë shprehur shqetësimet lidhur me kushtet e tyre të punës.

Ata thanë se si pasojë e kushteve jo të mira, çdo vit në këtë aeroport e braktisin punën rreth 100 punëtorë, pasi edhe për gabime të vogla ata ndëshkohen me të holla nga menaxhmenti Limak, teksa paralajmëruan edhe mbajtjen e greve për datën 8 gusht.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të aeroportit, Bashkim Latifi tha në një konferencë për media se me ardhjen e kompanisë turke, u shuan edhe veprimet sindikale brenda këtij aeroporti, teksa kërkoi nga konsorciumi LIMAK që t’i marrin parasysh pesë kërkesat e punëtorëve, të cilat ai i quajti legjitime dhe të drejta.

Latifi: Këto janë pesë kërkesat tona për LIMAK

“Ne kemi qenë të detyruar që në mënyrë elektronike, pasi nuk na e ka hapur derën, përkundër kërkesave të vazhdueshme që të ulemi dhe t’i diskutojmë një nga një kërkesat tona dhe në mënyrë elektronike ne ia kemi dërguar. Janë pesë kërkesa kompensimi dhe benefitet të tjera të rrezikshmërisë, pushimi vjetor, përvoja e punës për detyra dhe punë në shërbimet që janë të ekspozuara direkt me dëmtimin e shëndetit të punëtorëve. Kërkesa e dytë është të eliminohen dallimet në paga në rastet ku punëtorët kanë detyra dhe përshkrim të njëjtë të punës, orë të njëjta të punës, duke ngritur pagat në nivel të barabartë. Kërkesa e tretë është të paguhet përvoja e punës 0.5 për qind, kërkesa e katërt janë orët e punës gjatë vikendeve, dhe kërkesa e pestë është shujta”, tha Latifi.

Ai madje tha se për shkak të kushteve të vështira të punës, çdo vit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e lënë punën rreth 100 punëtorë, teksa tregoi se menaxhmenti i kompanisë turke edhe për gabime të vogla ka dënuar 10 punëtorë deri në 16 mijë euro.

Latifi: Një punëtor për një gabim të vogël e kanë dënuar me 16 mijë euro

“Gjithë ky presion që bëhet për punëtorin që ai ta kryejë punën dhe të jetë efikas. Ai mund ta bëjë ndonjë gabim të vogël dhe ju, të nderuara media, nuk mund ta merrni me mend që në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, që ka diku në rruzullin tokësor aeroport ose organizatë, që një punëtor për një gabim të vogël të dënohet deri 16 mijë euro. Janë të dënuar afërisht 10 punëtorë prej 5 mijë deri 16 mijë euro, pa e mbytur askënd”, tha ai.

Përkrahje për punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka ofruar edhe Dega e Komunikacionit në Lidhjen e Kosovës. Në emër të saj kryetari Alush Sejdiu tha se do të vazhdojnë me veprime sindikale deri në plotësimin e kërkesave të punëtorëve.

Sejdiu: Kërkesat tona nuk janë jashtë ligjeve aplikuese të Kosovës

“Punëtorët janë boshti kurrizor i afarizmit të çdo kompanie e aq më tepër edhe të aeroportit. Ne nuk po kërkojmë asnjë kërkesë që nuk e kemi jashtë ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Përfitimet, të cilat i fiton kompania, duhet të ndahen në çdo fund vit me proporcionin 12 për qind  nga fitimi neto që e bëjnë e jo të punohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me pagë 200 deri në 500 euro, kur kolegët e tyre në rajon, por edhe në Evropë, kanë benefite tepër më të mëdha,”  tha ai. 

Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, avokati Tomë Gashi tha se që nga marrja në udhëheqje të kësaj ndërmarrjeje nga LIMAK, të drejtat e punëtorëve janë degraduar.

Gashi tha se menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kërkesave të punëtorëve u është përgjigjur në formë të shkruar ku është kërcënuar kryetari i Sindikatës së Pavarur Bashkim Latifi, vetëm e vetëm që të heqin dorë nga protesta e paralajmëruar për datën 8 gusht.

Gashi: Menaxhmenti i aeroportit  ka kërcënuar kryetarin e SP ANP, Bashkim Latifi

“Diçka që është në formë të shkruar, që e kam parë si përgjigje e menaxhmentit të aeroportit është paksa shokuese, kur në formë të shkruar e kërcënojnë zotëri Bashkim Latifin direkt me emër dhe mbiemër dhe kërcënimi ka të bëjë për pasoja juridike, por edhe siç i quajnë ata, pasoja të sigurisë, sepse kërcënimi është direkt për Bashkim Latifin dhe Driton Ademaj që mos ta organizojnë protestën e datës 8 gusht, dy ditë më vonë”, tha avokati Gashi.

Ndryshe, Sindikata e Pavarur e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", ka bërë të ditur se më datën 8 gusht do të mbajnë një protestë një orësh duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit.

Ata kanë kërkuar që menaxhmenti i aeroportit të reflektojë urgjentisht karshi kërkesave të tyre, me qëllim që punëtorët mos të hyjnë në grevë të përgjithshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat