“Haradinaj na tha të mblidheshim dhe filloi të gjuante me armë në ajër”, rrëfimi i Tahir Zemajt për ‘luftën’ me togerin dhe komandantët e tij

Aktuale

“Haradinaj na tha të mblidheshim dhe filloi të gjuante me armë në ajër”, rrëfimi i Tahir Zemajt për ‘luftën’ me togerin dhe komandantët e tij

Nga: G.B Më: 6 gusht 2019 Në ora: 22:16
Tahir Zemaj dhe Ramush Haradinaj

Beteja e Loxhës ishte konsideruar si beteja më e ashpër dhe më e suksesshme deri në luftën e Koshares.

Kështu ka vlerësuar koloneli Tahir Zemaj, e i gjithë rrëfimi është i shkruar në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, shkruan “Bota sot”.

“Kjo ka qenë beteja më ashpër deri atëherë me serbët (fjala për Betejën e Loxhës) dhe deri në luftën e Koshares, nuk ka pasur ndonjë betejë tjetër më të suksesshme. Në analizë me shtabin dhe me të dërguarit e shtabeve lokale të fshatrave, ajo është konsideruar një fitore e rëndësishme, një shenjë e pjekurisë dhe forcës së njësive tona. Po ashtu edhe populli i Kukaxhinit vuri re, se si dhe sa mund të luftojë një forcë e organizuar, aty kemi fituar jo veç mbi forcat e armikut, por çka është shumë e rëndësishme, kemi fituar simpatinë e plotë të popullit”, fillon rrëfimi i Zemajt.

Ai tregon se me 10 korrik në oborrin e kazermës në Prapaqan kishte shkuar Ramush Haradinaj me disa ushtarë, e bashkë me ta edhe togeri’, ku ai ka kërkuar që të tuboheshin të gjithë ushtarët dhe eprorët, ndërsa që koloneli i kishte kërkuar arsyen.

“Me tetë korrik nga Isniqi kemi lëvizur për në Prapaqan. Aty brigada është vendosur në kazermë sipas vlerësimit tim mund të organizohej mirë, kemi pasur problem me ujin e pijshëm, rrjedhimisht edhe me higjenën. Por terrenet e stërvitjes dhe të strehimit kanë qenë normale për kushtet e luftës. Me datën dhjetë korrik në oborrin e kazermës ka ardhur Ramush Haradinaj me disa ushtarë, me ta ka qenë edhe “togeri”. Ata hynë të armatosur brenda oborrit të kazermës. Bashkë me Sali Çekun kemi qenë në një revistë të objektit, kur Haradinaj më ka kërkuar që të tuboheshin të gjithë ushtarët dhe eprorët. Kërkova arsyen e këtij tubimi”, vazhdon rrëfimi.

Zemaj tregon se Haradinaj nuk kishte dhënë asnjë shpjegim dhe kishte filluar të gjuante me armë në ajër dhe ai pas kësaj kishte mbledhur të gjithë ushtarët dhe eprorët, e aty Haradinaj u kishte thënë se eprorët duhet ta lëshojnë objektin pasi janë të padëshirueshëm, duke u dhënë afat prej 30 minutash.

“Haradinaj nuk dha asnjë shpjegim, veç filloi të shtinte me armë në ajër. Eprorët në ato çaste po mbanin mësim me ushtarët. Kam ndërprerë mësimin dhe kam kërkuar që ushtarët që vinin në pistë para flamurit dhe eprorët të rreshtoheshin para objektit. Haradinaj filloi të fliste para ushtarëve – thelbi i atyre fjalëve ka qenë se “eprorët tuaj janë të padëshirueshëm, jo vetëm në këtë objekt, por në të gjithë Rrafshin e Dukagjinit”. Na akuzoi se kishim nxitur urrejtje në popull, pastai na akuzoi si dorë e huaj. Në fund ka lëshur një ultimatum: “Brenda 30 minutave duhet ta lëshoni objektin!“”, ka thënë Tahir Zemaj.

Më pas, pas konsultimeve me Shtabin Suprem, kanë vendosur që ta lëshojnë objektin për t’iu shmangur konfliktit, vëllavrasjes, ndërsa që ushtarët me lot në sy po i luteshin Haradinajt dhe Rrustem Tetës që të bisedonin përsëri.

“Në konsultim me Shtabin Suprem kemi vendosur që ta lëshojmë objektin, për t’iu shmangur me çdo kusht konfliktit, vëllavrasjes. Haradinaj bashkë me Rrustem Tetën filluan t’u flisnin prapë ushtarëve, të cilët me lot në sy po u luteshin që të bisedonin përsëri, të mos krijonin konflikte etj. Ne, të gjithë eprorët, u larguam dhe i lamë ushtarëve në kazermë. Kanë qenë me qindra ushtarë, ata që kemi pasur në fillim dhe të tjerë që na qenë bashkangjitur gjatë asaj kohe’, ka rrëfyer koloneli Zemaj, duke shtuar se Rrustem Tetaj u kishte thënë se Haradinaj është penduar për atë që ka bërë dhe ka kërkuar takim në Lukë.

“Ushtarëve u kam premtuar se do të kthehemi shpejt dhe se ai problem do të zgjidhej. Në Isniq, vendosëm të shkonim në një takim me Shtabin e UÇK-së. Ndërkohë shumë njerëz na thoshin se kishim vepruar me urtësi dhe dinjitet, se kishim shmangur një ngjarje të ndyrë, ndoshta një gjakderdhje që nuk do të harrohej lehtë. Në mbrëmje, vjen Rrustem Tetaj dhe më thotë që “Haradinaj është penduar për ato që ka bërë sot dhe kërkon që ne të takohemi sonte dhe të bisedojmë në Llukë””, vazhdon më tej rrëfimi, përcjell Bota sot.

Ai thotë se më pas kanë shkuarnë Llukë dhe janë takuar e kanë rënë dakord për disa pika.

“U nisëm për në Llukë, unë, Sali Çeku, Kemal Shaqiri, eprorët e brigadave, Shemsedin Çeku, Nazif Ramabaja dhe Shaban Dragaj. Në atë takim nga ana e tyre ka marrë pjesë Ramush Haradinaj, Sali Veseli, Faton Mehmetaj, një tjetër me pseudonime që nuk i njihja. Kemi biseduar për një kohë të gjatë dhe përfundimisht kemi rënë dakord në këto pika: 1. Të shfrytëzojmë bashkarisht objektin në Praraqan. 2. T’i angazhojmë eprorët në vijat e frontit për ndihmë të kualifikuar. 3. T’i dërgojmë disa eprorë, në ndihmë të komandave territoriale të fshatrave. 4. Të takohemi një herë në javë për referime, shkëmbime informacioni etj. 5. Të takohemi çdo ditë, në se kjo gjë është e domosdoshme nga situata në terren. 6. Të mos ndodhin më “ngatërresa” si ato që na kishin ndodhur deri atëherë”, ka treguar Tahir Zemaj.

Po ashtu, në takim tregon se ishte biseduar edhe për marrëveshjes e Oslos dhe mënyrës së përshëndetjes.

“Në atë takim është biseduar edhe rreth marrëveshjes së Oslos, rreth furnizimit, prapavijës, rreth mënyrës së përshëndetjes ushtarake etj. Ka pasur një “debat” rreth mënyrës së përshëndetjes. Ramushi dhe disa pranë tij kërkonin që të përshëndetej me grusht, gjë që unë nuk e kam lejuar. Ne do të përshëndesim siç përshëndesin të gjitha ushtritë e vendeve Perëndimore, që ne shpresonim se do t’i kishim aleate në luftë, dhe jo si ushtria sovjetike apo simotrat e saj”, përfundon rrëfimi i Zemajt në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”./BS/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat