Komision hetimor për Telekomin pritet të ketë edhe në legjislaturën e ardhshme

Aktuale

Komision hetimor për Telekomin pritet të ketë edhe në legjislaturën e ardhshme

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 11:16
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala

(E plotësuar) - Deputetët e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala të gjithë njëzëri janë shprehur se puna hetimore ndaj kësaj ndërmarrje publike duhet të vazhdohet edhe në legjislaturën e ardhshme.

Për këtë, ata kanë kërkuar që mos t’i dërgohet ndonjë raport gjysmakë për votim Kuvendit të Kosovës para shpërndarjes së tij, por vetëm të votohet një draft që komisioni i ardhshëm hetimor të ketë si pikënisje vazhdimin e punës së tyre.

Gjatë kësaj mbledhje Komisioni vendosi me votë që të përmbyllë fazën e intervistimit edhe të kalohet në fazën e përpilimit dhe strukturimit të dokumentacionit të tyre. Përkundër se vetëm 30 përqind të punës së këtij komisioni ka përfunduar, deputetët thanë se Prokuroria e Shtetit ka bazë dhe material të mjaftueshëm që të iniciojnë kallëzime penale.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri i paraqiti dy mundësitë që komisioni para shpërndarjes së Kuvendit të paraqesë një raport dhe të votohet ose të vazhdohet hetimi në legjislaturën e ardhshme.

Ymeri tha se për këtë, ky hetim duhet të vazhdohet në legjislaturën e ardhshme, pasi siç tha se një raport i përpiluar në shpejtësi mund të ketë mangësi.

Ymeri: Nëse votohet ai raport mendoj që do të ketë mangësi

“Më mirë është me lanë të hapur për legjislaturën e ardhshme sepse i kemi dy probleme nëse e përfundojmë raportin tash. E para duhet të bëjmë raportin shpejt e shpejt dhe nëse votohet ai raport mendoj që do të ketë mangësi. Pra për arsye objektive edhe e dyta ne siç e dina të gjithë e kemi pa se mandati gjashtë mujor është i pamundshëm për me hetu një çështje kaq voluminoze dhe kaq të shtrirë në kohë edhe në institucione të ndryshme”, tha ai.

Këtë kërkesë e mbështeti dhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se deri më tani kanë intervistuar vetëm 30 përqind të dëshmitarëve edhe për këtë duhet të vazhdojë hetimi në mandatin e ardhshëm.

Haxhiu: Kemi intervistuar vetëm 30 përqind të dëshmitarëve

“Deri më tani ne kemi intervistuar vetëm 30 përqind të dëshmitarëve dhe kemi shumë akterë të cilët kanë ndikuar në dëmtimin e Telekomit të cilët ne nuk kemi arrit me i intervistu edhe në veçanti akterët që i kemi intervistuar nuk kemi arrit me i ballafaqu. Sepse deklaratat e disa prej tyre janë kundërthënëse mes veti. Për të përmbyll dhe ta bëjmë valide këtë punën tonë ne duhet të përpilojmë një draft raport, të cilin do të nënshkruanin të gjithë anëtarët për raportin që do të miratojmë në komision që legjislaturës së ardhshëm t’ia lejmë si punë të përfunduar nga ky komision”, tha ai.

Por pavarësisht kësaj, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj kërkoi që me faktet dhe dëshmitë që i ka ky komision duhet dhe mund të merret Prokuroria në mënyrë që të iniciojë procedura penale.

Zemaj: Njëra derë është e hapur në Prokurorinë

“Këtu është faktuar dhe dëshmuar që një mekanizëm i njerëzve në vazhdimësi kanë pasur interesa personale dhe grupore për të dëmtuar Telekomin e Kosovës. Tash ne në ndonjë herë nuk e kemi zgjedhur gjuhën, por ata që e kam pa e kemi quajtur krim i organizuar, sepse dyshimet tona në fillim kanë qenë në bazë të perceptimit të opinionit, por kohë pas kohe ato janë faktuar dhe me dëshmi, por dhe me dokumentacion që e kemi para vetës. Unë po mendoj që ashtu siç shumica nga ne e potencuam të lejojmë një derë hapur. Edhe pse njëra derë është e hapur në institucionin kryesor që është zbatuesi dhe ekzekutuesi i ligjit që është Prokuroria e Shtetit”, u shpreh Zemaj.

Gjithë punën e këtij komisioni e vlerësoi deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila u shpreh e vendosur se nga gjithë ky hetim dy gjëra janë të qarta, e sipas saj janë kontratat abuzive me Z mobile dhe kompaninë PayKos.

Deputetja e VV-së, po ashtu tha se për gjitha dokumentacionin qe e kanë, deklaratat që ajo po pretendon që kanë qenë të rrejshme nën betim, t’iu ofrohen Prokurorisë

Haxhiu: Tashmë nuk ka asnjë dilemë që kontrata me Z mobile ka qenë e dëmshme

“Unë besoj që për dy çështje kemi bindje të qartë që kanë qenë objekt i hetimit. Është kontrata abuzive me Z Mobile. Tashmë nuk ka asnjë dilemë që ajo kontratë ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme për Telekomin. Për t’u nënshkruar ajo kontratë ka pasur si me thënë një rrjet kriminal që të jetësohet ajo kontratë. Kjo është evidente. Unë besoj që njësoj është e dëmshme, ose diku si kontrata me Z mobile është kontrata me PayKos, dhe të paktën këto dy kontrata e kemi një bindje të qartë se si kanë arritur...është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjeturat që i kemi tani që i kemi me kontratën për Z mobile. Deklaratat kundërthënëse, dëshmia e rrejshme nën betim, siç e dini se ka pasur shumë dëshmitarë që kanë dhënë deklarata të rreme nën betim, tashmë t’ia afrojmë prokurorisë. Kjo nuk e ndalon që mandatin e ardhshëm të formohet një komision hetimor që të vazhdojë punën tonë”, th a deputetja Haxhiu.

Të njëjtë me mendime ishin dhe kolegët deputetë të tjerë, të cilët kërkuan që hetimi për PTK-në të vazhdojë dhe në legjislaturën e ardhshme.

Për gjithë dokumentacionin aktual dhe faktet që i ka ky i komision edhe deputeti Milaim Zeka kërkoi që të shfrytëzohet e drejta për kallëzime penale ndaj atyre që kanë abuzuar me PTK-në.

Në këtë mbledhje të komisionit hetimor mes tjerash u tha se në dy mbledhjet e ardhshme para shpërndarjes së Kuvendit, të votohet për t’iu jap qasje edhe mediave në këto dokumente.

Kërkohet që Komisioni hetimor për PTK të vazhdojë punën edhe në legjislaturën e re

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka diskutuar në lidhje me mënyrën e vazhdimit të punës pas rrethanave të reja të krijuara lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast u tha se komisioni hetimor duhet të vazhdojë punën edhe në legjislaturën e ardhshme dhe mos t’i dërgohet një raporti Kuvendit, por vetëm të votohet një draft ku legjislatura e ardhshme do të kishte një pikënisje për punën e deritanishme.

Komisioni gjithashtu vendosi që të përmbyllë fazën e intervistimit dhe të kalohet në fazën e përpilimit.

Deputetët gjithashtu thanë se edhe pse puna e tyre është përfunduar vetëm 30 për qind, prokuroria ka bazë në dokumentacionet e tyre që të iniciojnë kallëzime penale.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri i paraqiti dy mundësitë që komisioni para shpërndarjes së Kuvendit të paraqesë një raport dhe të votohet ose të vazhdohet hetimi në legjislaturën e ardhshme.

Ymeri tha se ky hetim duhet të vazhdohet në legjislaturën e ardhshme, pasi siç tha, raporti i shpejtë mund të ketë mangësi.

“Më mirë është të lihet i hapur për legjislaturën e ardhshme, pasi nëse e përfundojmë shpejt e shpejt raportin, atëherë ai do të kishte mangësi”, tha ai.

Këtë kërkesë e mbështeti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se deri më tani kanë intervistuar vetëm 30 për qind të dëshmitarëve dhe se hetimet duhet të vazhdojnë në mandatin e ardhshëm.

Vazhdim të hetimit në mandatin e ardhshëm kërkoi dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, por tha se edhe me këtë dokumentacion mund të iniciohet procedura penale.

Kërkesë të njëjtë kishte edhe deputeti Milaim Zeka dhe ai i AAK-së Shkumbim Demaliaj.

Në fund u tha se para votimit të mënyrës si të vendoset, duhet të mbahen edhe dy mbledhje për të votuar mbi mënyrën se si do të vendoset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat