Agjencia për Barazi Gjinore dënon ashpër vrasjen e Armenda Aliut

Aktuale

Agjencia për Barazi Gjinore dënon ashpër vrasjen e Armenda Aliut

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 15:33
Ilustrim

Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit, dënon ashpër vrasjen e qytetares Armenda Aliut në Prizren nga ana bashkëshortit saj.

Përmes një reagimi për media, ABGJ thekson se dhuna në familje është një akt kriminal i dënueshëm dhe i kobshëm.

“Akti  i tillë dhe aktet tjera të dhunës dhe ngacmimit seksual që kanë ndodhur në këta muajt  e fundit  janë të papranueshëm  për ne si Agjenci por dhe si shoqëri. Aktet e dhunës dhe kryerësit e tyre duhet të dënohen penalisht nga organet e drejtësisë dhe moralisht nga gjithë shoqëria jonë”, thuhet në reagim.

Agjencia për Barazi Gjinore tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, komuniteteve, mbarë shoqërisë për prezencën e shtuar të armëve në pronësi të qytetarëve dhe sjelljeve të dhunshme dhe agresive të cilat po rezultojnë në humbjen e jetëve të qytetareve, mosgëzimin e të drejtave dhe mosrespektimin e dinjitetit,  në mënyrë të veçantë të grave, nënave, motrave dhe bijave tona.

“Si Agjenci, mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të dinjitetit, të drejtës së jetës dhe gëzimit të saj nga bijat dhe bijtë e këtij vendi në përputhje me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me të drejtat e grave”, theksohet ndër tjerash në reagim.

Agjencia gjithashtu shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës dhe siguron të gjithë viktimat e dhunës në familje dhe baza gjinore dhe familjarët e tyre të këtyre muajve të fundit dhe më parë se mbështetja jonë dhe angazhimi ynë në kërkimin dhe sigurimin e drejtësisë nuk do të mungojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat