AAK-ja i përgjigjet Kadri Veselit që e quajti Ramush Haradinajn kryeministër me qira

Aktuale

AAK-ja i përgjigjet Kadri Veselit që e quajti Ramush Haradinajn kryeministër me qira

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 15:00
AAK-ja i përgjigjet Kadri Veselit që e quajti Ramush Haradinajn kryeministër me qira

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit ka bërë që koalicioni PAN të ketë fërkime mes dy partive që e përbëjnë, PDK-së dhe AAK-së. Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, dje në një intervistë tha se partia e tij nuk do të japë më kryeministra me qira, duke aluduar në kryeministrin në dorëheqje Ramush Haradinaj. E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Isufi ka thënë se Haradinaj ka treguar që është zot shtëpie dhe ata që e kanë menduar ndryshe kanë gabuar dhe do të gabojnë. Isufi ka treguar edhe mundësitë e një koalicioni AAK – Nisma – PSD dhe se a e negocion AAK-ja postin e kryeministrit.

Kreu i PDK-së dje deklaroi se partia që ai drejton dy herë e ka dhënë kryeministrin me qira, por kësaj radhe nuk do të bëjnë kompromis me postin e shefit të qeverisë. Koalicioni PAN si fitues i zgjedhjeve të fundit kishte nominuar Ramush Haradinajn e AAK-së për kryeministër ani pse me më pak vota se PDK-ja e Veselit.

Ndaj deklaratave të kryetarit të PDK-së ka reaguar nënkryetari dhe deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi.

Ai deklaroi se populli i Kosovës do t’ia japë edhe një mandat Haradinajt si kryeministër.

“Ramush Haradinaj ka treguar që është burrështetas dhe është zot shtëpie, krejt ata që e kanë mendu për ndryshe kanë gabu dhe do të gabojnë edhe në të ardhmen. Sepse me vendimet që i ka marrë dhe me udhëheqjen që ka bërë në qeveri për 2 vjet ka treguar që është lideri më i nevojshëm për Kosovën dhe për popullin e Kosovës”, u shpreh Isufi.

I pyetur nëse pas këtyre deklaratave të Veselit, AAK-ja nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, Isufi u shpreh se qëllimi i AAK-së është të shkojë e vetme në zgjedhje.

“Pas shpërbërjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka më koalicione të cilat kanë ekzistu, tani e tutje interesat e partive janë qoftë të dalin vetë në zgjedhje, qoftë të bëjnë koalicione kjo është sipas dëshirës së tyre. Në fakt jemi në një fazë të përgatitjes së fushatës parazgjedhore dhe tani do të ketë kundërshtime dhe kundërthënie në mes liderëve dhe mes partive, kjo është normale për këtë fazë”, tha deputeti i AAK-së.

Media ka pyetur deputetin e AAK-së nëse partia e tij është e gatshme t’ia japë postin e kryeministrit ndonjë partie më të madhe nëse hyjnë në koalicion, qoftë edhe PDK-së.

Isufi tha se populli i Kosovës do t’ia japë edhe një mandat Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit.

“Unë e di që populli i Kosovës është i gatshëm tani t’ia japë mandatin zotit Haradinaj, sepse ka treguar që është kryeministri i cili vepron dhe vendos për interesat e qytetarëve të Kosovës më shumë se cilido tjetër”, deklaroi Isufi.

Isufi tha se AAK-ja parashikon të shkojë e vetme në zgjedhje.

“Aleanca mendon të dalë e vetme në zgjedhje megjithatë nuk përjashton mundësinë që me partitë që ka qenë më afër të ketë koalicion por kjo do të varet nga angazhimet në të ardhme”, u shpreh nënkryetari i AAK-së.

Ahmet Isufi tha se mundësia e një koalicioni me ata që AAK-ja ka qenë më afër nuk ka të bëjë me PAN-in, por me Nismën dhe PSD-në.

“Jo nuk ka të bëjë me PAN-in, ka të bëjë me Nismën Socialdemokrate që kemi qenë më afër në kuptimin se kemi pasë koalicion më herët dhe kemi bashkëvepruar më shumë, po ashtu me Partinë Social Demokrate e cila ka aprovuar dhe ka bërë nisma ligjore e që e kanë ndihmu Qeverinë e Kosovës dhe janë sjellë në mënyrë konstruktive si opozitë”, tha Isufi.

I pyetur nëse AAK-ja përjashton një koalicion me Vetëvendosjen, LDK-në dhe PDK-në, Isufi u shpreh se nuk do të thotë që s’mund të ketë koalicione.

“Ne jemi që në start e theksova të dalim si parti e vetme por nuk do të thotë që s’mund të ketë edhe koalicione me ta”, u shpreh nënkryetari i AAK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat