Kjo është arsyeja pse zyrtari që ishte 8 vjeç në luftë u ftua në Hagë

Aktuale

Kjo është arsyeja pse zyrtari që ishte 8 vjeç në luftë u ftua në Hagë

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 15:04
Rilind Berisha

Ka disa muaj që në opinion është tentuar të prezantohet si absurd fakti që Rilind Berisha, zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, është ftuar për intervistë nga Gjykata Speciale. Kjo, sidomos për arsyen se Rilind Berisha ishte vetëm 8 vjeç në kohën e luftës. Por, burime të medias bëjnë me dije se Berisha që punon në Zyrën për Mbrojten e të Akuzuarve Potencialë nga Gjykata Speciale, nuk dyshohet për ndonjë “krim” në luftë, por është marrë në pyetje për shkak të dyshimeve se ka nxjerrë informacione sensitive nga zyra.

Në vazhdën e thirrjeve nga Gjykata Speciale, vendi u ‘trondit’ kur u bë publik lajmi se para prokurorëve të Hagës do të dëshmonte një person që në kohë të luftës kishte qenë hiç më pak se 8-vjeçar.

Bëhet fjalë për Rilind Berishën, që lajmin se do të dëshmojë në Hagë e bëri të ditur vetë përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Berisha tha se është ftuar që të intervistohet me 5 gusht, por, që qëndrimi i tij para prokurorëve të Hagës e intervistimi zgjati për dy ditë. Ditën e parë i njëjti u përgjigj në pyetjet që iu bënë, derisa, të nesërmen me datë 6 gusht, ai refuzoi që të përgjigjet në pyetjet e prokurorëve.

Derisa intervistimi i tij zgjati më gjatë se shumë prej të thirrurve të tjerë që ishin pjesë e luftës, në opinionin kosovar u ngjall diskutimi se pse prokuroria që heton krime të luftës duhet ta thërras një person që gjatë asaj kohe kishte qenë i mitur.  Berisha u kthye në Kosovë vetëm që pasi që për këtë intervenoi avokati i tij pasi që një nga prokurorët e Gjykatës Speciale ka tentuar që rastin ta dërgonte për në gjykatë, pas refuzimit të përgjigjes në pyetje.

Në fakt, arsyeja e thirrjes së Berishës s’kishte të bënte me atë se çka mbante mend ai nga lufta e fundit, por, me postin që mban momentalisht në Ministrinë e Drejtësisë, saktësisht në Zyrën për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë nga Gjykata Speciale.

Një burim mirë i informuar ka bërë të ditur se arsyeja e thirrjes për në Hagë ka qenë se i njëjti kishte bërë disa shkelje ligjore gjatë kryerjes së detyrës në zyrën për mbrojtjen e të akuzuarve.

Dyshimet janë edhe se i njëjti ka bërë rrjedhjen e disa informacioneve nga zyra në mënyrë të jashtëligjshme.

Media ka kontaktuar Berishën për të parë qëndrimin e tij për këtë temë, mirëpo ai nuk ka pranuar që të përgjigjet në pyetjet e dërguara. Njëjtë ka vepruar edhe shefi i tij, Driton Lajçi, që është shef i kësaj zyre.

Në Ministrinë e Drejtësisë në anën tjetër arsyetohen se Berisha është thirrur për të folur lidhur me mandatin që ka zyra në të cilën ai punon, derisa nuk sqaruan se pse nuk është thirrur për intervistim nëse ka qenë kjo arsyeja vetë drejtori i zyrës Driton Lajçi. Ky burim thotë se nuk përjashtohet mundësia që Berisha të intervistohet edhe njëherë në Hagë.

”E kanë thirrë më shumë me e pyet për mandatin e zyrës,  për personat që janë thirr në Speciale, si bëhet komunikimi me ta. Në ditën e dytë ka refuzu me u përgjigje sepse nuk ka pas çka me tregu tutje, pasi që gjithçka saktësohet me mandatin që ka zyra se si bëhet komunikimi. Po nuk përjashtohet që ftohet prap në rast se kanë diçka mëdyshje për punën e komunikimit”, ky është së paku versioni i një zyrtari të Ministrisë së Drejtësisë që nuk ka dashur të flasë me emër.

Media ka kontaktuar edhe Gjykatën Speciale për këtë çështje. Si zakonisht, nuk janë dhënë detaje për personat e intervistuar.

 “Gjykata Speciale nuk komenton raportimet e mediave apo statusin e hetimeve apo kohën se kur do të ngritën akuzat e mundshme. Gjithashtu, Specialja ka detyrë që të mbrojë pavarësinë e të gjithë individëve”, ka bërë të ditur zëdhënësi Christopher Bennett.

Të njëjtat informacione se pse është thirrur Berisha në Hagë i kanë edhe në OVL-UÇK. Nënkryetari i organizatës së veteranëve Nasim Haradinaj tha se kjo ka të bëjë me vendin ku punon ai

“Personi që është i thirrur nuk është veteran i luftës. E kanë thirrë më tepër për spekulime, për vendin ku ka punu ose diçka tjetër. Nuk ka teori që ai me u thirr për në luftë. Njerëzit po spekulojnë, njerëzit po ngritin akuza ende pa u ngritur akuzat. Njerëzit nuk po e dinë se çdo sen që thuhet çohet operacion, shqiptarët kanë filluar të flasin sikur se kanë fakte e po përfundojnë aty. Unë mendoj se kjo është mosfunksionim i ligjit për shpifje. Nëse është ndonjë pyetje sugjestive kanë muj me thirrë pa e ba të madhe”, tha ai, derisa sipas tij ai ka qenë personi më kompetent për ta marrë atë pozitë.

“Unë mendoj veprimin e tij e konstaton gjyqi. Nëse fillojnë me i marrë kanë me i marrë rresht, atë pozitë që e ka dikush duhet me punu, njeri ma adekuat me punu në atë pozitë ka qenë ai sepse nuk ka qenë pjesë e luftës edhe nëse ai akuzohet atëherë llogarit qysh do të akuzohen ata të tjerët që e kanë mbërri luftën”, deklaroi Haradinaj.

Vetë Berisha përmes rrjetit social Facebook kur bëri të ditur se ka marrë ftesë tha se nuk ka informacione se për çfarë do të intervistohet.

“Nuk e di arsyen për të cilën do të intervistohem, nëse veç mund ta përdorim termin arsye për këtë gjykatë krejtësisht të paarsyeshme”, kishte shkruar ai.

Zyra për Mbrojten e të Akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale ishte krijuar pasi që kishin filluar të vinin ftesat e para për intervistim nga Haga. Kjo zyrë funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, derisa ka si rol njëkohësisht ofrimin e ndihmës për familjarët e të akuzuarve gjatë procesit në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat