Përkrahja e Daçiqit ndaj Trumpit ngjall reagime

Aktuale

Përkrahja e Daçiqit ndaj Trumpit ngjall reagime

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 16:51
Ivica Daçiq

"Jam i bindur se amerikanët tani janë shumë më vigjilentë kur bëhet fjalë për këtë çështje, sesa që ishin në vitin 2016, dhe jam i sigurt që viti 2020 do të jetë edhe më i ndjeshëm ndaj gjërave të tilla", thotë për Radion Evropa e Lirë, Daniel Serwer, një ekspert i Ballkanit në SHBA, duke kujtuar pretendimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Ky është reagimi i tij ndaj deklarimit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, se do të organizojë diasporën serbe në SHBA që në zgjedhjet e ardhshme ta përkrahë kandidatin republikan, presidentin e tanishëm të SHBA-së, Donald Trump.

Deklaratën e Daçiqit e ka kritikuar edhe Michael Carpenter, këshilltar i Joe Biden, ish-nënpresident amerikan, dhe kandidat demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Ai thotë se Daçiqi dëshiron “të përzihet në politikën e brendshme amerikane”.

“Ministri i Jashtëm serb po planifikon të përzihet në politikën e brendshme amerikane, duke bashkuar serbo-amerikanët që të mbështesin Trumpin më 2020”, ka thënë ai nëpërmjet një postimi në Twitter.

Duke iu përgjigjur kritikës së Michael Carpenter, ministri i Jashtëm serb tha se ai nuk po fliste për Serbinë, si shtet, por për qytetarët e SHBA-së me origjinë serbe, dhe se diaspora serbe në atë vend duhet të organizohet në mënyrë që "askush të mos mund ta përçmojë ashtu siç po bëjnë tani demokratët”.

"E kur hebrenjtë votojnë për Trumpin, a nuk është ndërhyrje, apo kur shqiptarët votojnë për Clintonin apo Engelin? Në zonën elektorale të Engelit, shqiptarët gjithmonë ia sjellin fitoren", tha Daçiq për gazetën Politika.

Sipas shefit të diplomacisë serbe, janë rreth 650.000 shtetas amerikanë me origjinë serbe. Daçiq ka deklaruar se si ministër i Jashtëm, do t’i organizojë serbët që jetojnë në SHBA që t’i bashkojnë votat dhe të formalizojnë mbështetjen për Trumpin.

Por, Malden Lishanin nga Instituti për Studime Politike në Beograd, thotë se ky qëndrim i Daçiqit, po bëhet kryesisht për konsum të brendshëm politik, me anë të së cilit ai po përpiqet të paraqesë ekzistencën e kinse një plani për zhvillimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.

Por, a janë këto deklarime të Daçiqit, përpjekje për forcimin e pozicionit të Serbisë, në raport me dialogun me Kosovën?

Lishanin thotë se kjo sigurisht se ka ndikim.

Ai shprehet se në Beograd, Trump konsiderohet të jetë disi më i pranueshëm sa i përket disa qëllimeve që ka Serbia, sesa disa pjesë të administratës, të cilat në shumë raste, përbëhen nga zyrtarë të administratave të mëparshme.

Por, ai shton, se edhe nëse ideja e Daçiqit është përpjekje për të ndikuar në politikën e SHBA-së për çështjen e Kosovës, kjo nuk është mënyra më e duhur për këtë.

"Serbia nuk ka kapacitete të organizojë një gjë të tillë në Shtetet e Bashkuara, të mbledhë diasporën të zbatojë një plan të hartuar në Beograd”, thotë Lishanin.

“Numri i serbëve që jetojnë atje, nuk është aq i madh sa të ndikojë në zgjedhje. Sistemi politik amerikan nuk njeh një votë të drejtpërdrejtë për president, por të ashtuquajturin kolegj zgjedhor. Shteti me numrin më të madh të serbëve, Illinois, votoi me shumicë dërrmuese për demokratët. Kështu që, edhe nëse të gjithë e dëgjojnë Daçiqin nuk mund të bëjnë ndonjë ndryshim”, beson Lishanin.

Në fushatën parazgjedhore të vitit 2016, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në një panel për 20-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit organizuar nga fondacioni i ish-presidentit demokrat Bill Clinton.

Nëse mund të gjykohet në këtë mënyrë, atëherë Beogradi zyrtar nuk e ka pritur një fitore të Donald Trumpit.

Sidoqoftë, menjëherë pasi ai mundi rivalen demokrate Hillary Clinton, mbishkrimet me Donald Trumpin u shfaqën në veri të Mitrovicës në Kosovë, të banuar me shumicë serbe.

Billbordet që mbështesin Trumpin janë shfaqur gjithashtu në rrugët e Beogradit me fjalët "Urime! Trump i Serbisë!".

Në titullin e një portali të pro-qeveritar Telegrafi serb, shkruhej "Trump e kthen Serbinë në Kosovë".

Daniel Serwer, megjithatë, thekson se nuk është gjë e mençur të shprehësh një preferencë për njërën apo tjetrën parti politike amerikane.

"Çështja qëndron në faktin se është gjithmonë një gabim i madh të kesh një aleancë me njërën apo tjetrën parti politike amerikane, sepse gjithmonë ekziston një mundësi e vërtetë e ndryshimit të pushtetit. Pra, nëse e bën këtë, atëherë duhet të jesh i përgatitur të presësh pasoja nëse një parti që nuk e përkrah, i fiton zgjedhjet”.

“Daçiq me sa duket ka miq në administratën aktuale dhe dëshiron t'i mbështesë ata, por gjithçka që ka arritur është të sigurojë që kushdo që do të jetë presidenti i ardhshëm amerikan nga demokratët, Daçiqin mbase edhe Serbinë, ta konsiderojë armik. Pra, nuk ishte aspak e mençur," paralajmëron Serwer.

Image
Daniel Serwer

Kur shikohet në politikat e Beogradit karshi republikanëve dhe demokratëve, nuk ekziston konsistencë, konsideron Mlladen Lishanin.

"Ekziston në nivelin e liderëve politikë individualë dhe partive politike. Gjatë udhëheqjes së Partisë Demokratike, Serbia ishte disi më afër demokratëve në Shtetet e Bashkuara, edhe nëse administratat e udhëhequra nga 'demokratët" nuk ishin gjithmonë, kushtimisht të themi, pro-serbe. Nuk ishin as republikanët, por ekzistonte njëfarë perceptimi se ata ishin disi më pak të interesuar për t’i mbrojtur interesat e rivalëve rajonalë të Serbisë ", thotë Lishanin.

Edhe në rastin e Daçiqit, Lishanin mendon se kemi të bëjmë me “disa nga ambiciet dhe lidhjet politike personale të tij, sesa veprim që është rezultat i një politike të jashtme të Serbisë të dizajnuar mirë në lidhje me marrëdhëniet me SHBA-në".

E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur mediat serbe njoftuan për një vizitë në Beograd të këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, John Bolton në fund të gushtit.

Mirëpo, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo vizitë nuk do të realizohet. Ai ka thënë për mediumin TV Prva se Bolton nuk do të kishte me kë të bisedonte në Kosovë për shkak të zgjedhjeve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat