Punësimet në KOSTT, gruaja e Gent Begollit u punësua në konkursin që kërkohej të anulohej - Bota Sot
Punësimet në KOSTT, gruaja e Gent Begollit u punësua në konkursin që kërkohej të anulohej

Aktuale

Punësimet në KOSTT, gruaja e Gent Begollit u punësua në konkursin që kërkohej të anulohej

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 23:27
Gent Begolli

Përveç në Telekom e në KEK, emrat të familjarëve të zyrtarëve në pushtet, me bollëk gjenden edhe në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës.

Nga 1 tetori i vitit të kaluar, aty punon Flaka Begolli, gruaja e ish-kryeshefit të Telekomit Gent Begolli, pjesë e AAK-së, në pozitën Praktikant Specialist për Tarifa, e angazhuar nga një konkurs për të cilin, siç raportoi televizioni të premten, Inspektorati i Punës, kishte kërkuar të anulohej.

“Flaka Begolli aktualisht është e punësuar në KOSTT nga data 01 tetor 2018, në pozitën: Praktikant Specialist për tarifa, në bazë të konkursit publik të datës 25 korrik 2018, sipas procesit të rregullt të punësimit, konform Ligjit të Punës dhe Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit Publik Nr. 07/2017”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Komunikim dhe Relacione me Publik – KOSTT.

Në rastin e Begollit, Inspektorati kishte konstatuar se ajo ka 4 muaj përvojë pune në KOSTT dhe 8 të tjera në një punëdhënës tjetër dhe rrjedhimisht, nuk plotësonte kriteret për t’u zgjedhur si praktikante.

Praktikant për 6 muaj në KOSTT ka qenë edhe Shkëlqim Selmanaj, vëlla i Shpëtim Selmanajt, dikur asistent i Ramush Haradinajt e tani Zëvendësdrejtor për Shërbime administrative Financiare në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Angazhimi i tij në pozitën: Praktikant – Asistent Ligjor, ishte bërë në me anë të një konkursi të shpallur më 11 shtator të vitit të kaluar, ndërsa kishte zgjatur ndërmjet datës 15 nëntor 2018 – 14 maj 2019.

“Shkëlqim Selmanaj ka punuar në KOSTT nga data 15 nëntor 2018 deri më datë 14 maj 2019, në pozitën: Praktikant Asistent ligjor në bazë të konkursit publik të datës 11 shtator 2018, sipas procesit të rregullt të punësimit konform Ligjit të Punës dhe Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit Publik Nr. 07/2017. Pas skadimit të kontratës së praktikantit prej 6 muajsh, i ka përfunduar marrëdhënia e punës dhe nuk punon më në KOSTT”, ka thënë në një përgjigje zyra për Komunikim dhe Relacione me Publik – KOSTT.

KTV-ja së fundmi, ka raportuar për një numër punësimesh në këtë ndërmarrje publike, që kryesisht ishin të lidhura me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...