Serbia e liroi tri vite më herët vrasësin e 14 civilëve shqiptarë, reagojnë institucionet e Kosovës

Aktuale

Serbia e liroi tri vite më herët vrasësin e 14 civilëve shqiptarë, reagojnë institucionet e Kosovës

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 13:40
Ilustrim

Miodrag Solaja, i dënuar për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk e përfundoi dënimin e tij. I dënuari për ekzekutimin e shtatë fëmijëve në oborrin e një shtëpie në vitet 1998-99 në Kosovë, u lirua nga burgu në Serbi tre vjet para se të përfundonte dënimin e tij. Në Qeverinë e Kosovës janë shprehur të indinjuar me këtë lirim, ndërkohë kanë deklaruar se nuk ka pajtim me Serbinë derisa kriminelët lihen të lirë.

Veprimin e Serbisë, duke i dhënë lirim të parakohshëm të dënuarit për krime Miodrag Solaja, Qeveria e Kosovës po e konsideron tallje me viktimat e luftës.

Kjo po quhet vrasje e dyfishtë, në veçanti për familjarët të cilat posedojnë dëshmi për krimet e Serbisë në Kosovë.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për KosovaPress se po dëshmohet që Serbia nuk është e interesuar për drejtësi dhe vetëm po luan lojëra për përfitime të saj karshi Bashkimit Evropian.

Lluka: Jemi të indinjuar me lirimin e Miodrag Solaja

“Ne jemi të indinjuar me këtë lirim dhe duhet me thënë hapur që Serbia po vazhdon për përfitime të veta ndaj Bashkimit Evropian kinse i dënon kriminelët, në anën tjetër ata nuk e mbajnë dënimin asnjëherë, megjithëse një dënim i tillë për 14 shqiptarë të vrarë dënohet 15 vjet një kriminel dhe mos me mbajt dënimin është absurd, dhe kjo po dëshmon edhe njëherë që Serbia nuk ka drejtësi dhe luan lojëra të ndryshme për të fituar eventualisht nga BE, kinse i dënon kriminelët dhe ata lirohen, dhe jo është vrasje e dyfishtë për gjithë ata që kanë pësuar”, tha ai.

Miodrag Solaja kishte luftuar në kuadër të njësisë e njohur si “Akrepat”, gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Sipas Llukës, “Akrepat” mendohet të kenë kryer edhe krime të tjera, përveç vrasjes së 14 civilëve.

Lluka: Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë derisa kriminelët lirohen

“Nuk mund të ketë pajtim me Serbi në derisa kriminelët lirohen. Dhe është keq me fol, por nëse një shqiptar vlen 10 muaj ose 12, atëherë çfarë drejtësie është kjo dhe çfarë pajtimi kërkojnë ata”, tha ai.

Ai e konsideron absurd edhe vendimin për vetëm 15 vjet burg për Miodrag Solaja, derisa dihej se ai kishte ekzekutuar 14 njerëz.

Për lirimin e tij, reagoi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili tha se Serbia në vazhdimësi po tallet me viktimat e luftës.

“Serbia në vazhdimësi po tallet me viktimat e luftës! Këtë e ka bërë në Bosnje e po vazhdon ta bëjë edhe me Kosovën! Këto ditë në Serbi është liruar nga burgu, tre vjet para përfundimit të dënimit, personi i cili është akuzuar dhe dënuar për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë në Kosovë. Nga ky krim arritën të shpëtojnë pesë fëmijë, e në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci. Lirimi i kriminelit serb është dëshmi që Serbia po vazhdon të luaj me nervat e të gjithve në të gjitha planet, madje edhe atë ushtarak!”, ka shkruar Hoxhaj.

Miodrag Solaja ishte dënuar në vitin 2008, për pjesëmarrje në vrasjen e 14 civilëve në Podujevë të Kosovës, më 28 mars 1999.

“Akrepat”, të cilët i shërbenin Sllobodan Millosheviqit, në atë kohë po vendoseshin në shtëpi të braktisura në Podujevë ku gjetën tri familje shqiptare.

Ata i rreshtuan dhe i qëlluan për vdekje, ku 14 prej tyre vdiqën dhe pesë fëmijë mbijetuan, në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci, sot deputete në Kuvendin e Kosovës. “Akrepat” vranë shtatë të mitur dhe qëlluan Bogujevcin më 16 plumba.

Miodrag Solaja u dënua më 14 vjet burg, pas një viti qëndrim në paraburgim. Gjykata e Lartë e Beogradit i dha lirimin e parakohshëm më 23 korrik të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat