Ramadani: Serbia frikësohet të bëjë luftëra, sepse është djegur keq në Kosovë

Aktuale

Ramadani: Serbia frikësohet të bëjë luftëra, sepse është djegur keq në Kosovë

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 18:52
Burim Ramadani

Zëvendësministri në dorëheqje i Mbrojtjes, Burim Ramadani, e ka quajtur forcim të institucioneve të vendit, Strategjinë e Sigurisë së Kosovës. Ai thotëse Serbia nuk ka ndryshuar, por se tash frikësohet të bëjë luftë në Kosovë.

Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo strategji e bën Kosovën të synojë që të kthehet shtet model në rajon në fushën e sigurisë, mbrojtjes, informacionit dhe diplomacisë.

“Me të drejtë, kemi definuar Aktivitetet e Jashtme Armiqësore (Serbinë dhe Rusinë) si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë së Kosovës”, thotë ai.

Postimi i plotë i Ramadanit:

“Strategjia e Sigurisë së Kosovës është strategji modernizimi dhe forcimi të institucioneve, duke bërë Kosovën të synojë që të kthehet shtet model në rajon në fushën e sigurisë, mbrojtjes, informacionit dhe diplomacisë. 
Pra, një Strategji modernizimi. 
Me të drejtë, kemi definuar Aktivitetet e Jashtme Armiqësore (Serbinë dhe Rusinë) si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë së Kosovës. 
Pak javë pasi ne miratuam Strategjinë tonë të modernizimit, Serbia e miratoi Strategjinë e vet Millosheviqiane. Sërish, e konfirmoi se Serbia nuk ka ndryshuar fare, vetëm që tash frikësohet të bëjë luftëra, sepse është djegur keq në Kosovë.

Pra, dallimi mes nesh është konceptual, i thellë dhe dallim mes të mirës e të keqes.
Ne duam të modernizojmë veten dhe rajonin.
Ata duan ta kthejnë të kaluarën Millosheviqiane”, ka shkruar Ramadani.

Në Qeverinë e Serbisë, të enjtën iu dha drita jeshile dy dokumenteve më të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat do të jenë bazë për miratimin e të gjitha rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore në dekadën e ardhshme.

“Dispozita për neutralitetin e shpallur ushtarak është ndryshimi më domethënës në strategjitë e miratuara, të cilat, sikur edhe të mëparshmet, mbrojnë qëndrimin se ‘shkëputja e kundërligjshme e Kosovës’ është rreziku më i madh i sigurisë për Serbinë, si dhe për vendet e rajonit. Neutraliteti u shpall në vitin 2007, por u hoq nga dokumentet e miratuara dy vjet më vonë”, shkruan gazeta serbe, duke u thirrur në strategji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat