Kadetja e FSK-së emërohet në zingjirin komandues të kadetëve në “West Point’’

Aktuale

Kadetja e FSK-së emërohet në zingjirin komandues të kadetëve në “West Point’’

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 13:19
Arelena Shala

Arelena Shala, kadete e Forcës së Sigurisë të Kosovës, në bazë të rezultateve të shkëlqyera gjatë studimeve në Akademinë Ushtarake Amerikane “West Point’’ në Nju Jork, është emëruar rreshtermajor i Komandës së Regjimentit në zingjirin komandues të kadetëve të Akademisë Ushtarake, si e vetmja kadete ndërkombëtare, në mesin e 4400 kadetëve sa ka akademia më elitare amerikane.

Sipas një komunikate të FSK-së, kadetët nga Kosova, Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, janë dy kadetë të cilët kanë filluar studimet në këtë akademi në vitin shkollor 2016/2017.  Certifikatën e pranimit në këtë akademi, asokohe  ua pat dhënë solemnisht ambasadori amerikan në Kosovë.

Akademia Ushtarake e SHBA-ve në West Point është një kolegj katërvjeçar, bashkë-edukues, federativ, liberal i arteve, i vendosur 50 milje në veri të Nju Jorkut. Kjo akademi u themelua që në vitin 1802, si kolegji i parë i inxhinierisë në Amerikë, i cili edhe sot vazhdon të jetë institucioni kryesor i zhvillimit udhëheqës në botë, i radhitur vazhdimisht në mesin e kolegjeve më të mira në vend.

Mision i Akademisë Ushtarake Amerikane ,,West Point’’ vazhdon të mbetet edukimi, stërvitja dhe frymëzimi i korpusit të kadetëve, në mënyrë që çdo i diplomuar të jetë një drejtues i përkushtuar ndaj Detyrës, Nderit dhe Vendit, si dhe i përgatitur për një karrierë të përsosmërisë profesionale dhe shërbimit ndaj kombit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat