Kallëzim penal ndaj 22 policëve për deportimin e shtetasve turq

Aktuale

Kallëzim penal ndaj 22 policëve për deportimin e shtetasve turq

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 13:56
Shtetasit turq

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti.

Ky rast është i njohur edhe si rasti “Gylenistët”.

Sipas Prokurorisë, kallëzimi penal është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zyrtar për media nga Prokurorinë e Shtetit.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovësthemeloi Komisionin Hetimor Parlamentarpër ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq./ReL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat