PSD “e ndarë” rreth koalicioneve, Sejdiu e Molliqaj me preferenca të ndryshme

Aktuale

PSD “e ndarë” rreth koalicioneve, Sejdiu e Molliqaj me preferenca të ndryshme

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 22:12
Molliqaj/Sejdiu

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu dhe sekretari organizativ i kësaj partie, Dardan Molliqaj kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa i përket koalicioneve parazgjedhore, edhe pse PSD nuk ka marrë ende një vendim të tillë.

Në emision “Debat Plus” në TV Dukagjini, Sejdiu deklaroi se një koalicion i majtë do të ishte interesant dhe i rëndësishëm për një zhvillim tutje.

Ai tha se do të dëshironte një koalicion me partitë e majta, në këtë rast mes PSD-së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate.

Por, sipas tij, sa herë e ka thënë këtë gjë, ka marrë reagime të ashpra dhe negative nga VV e sipas tij, e majta nuk duhet të ketë të tilla qëndrime, por duhet të ngrihet rreth bashkëpunimit dhe ideve.

Ndërsa, Molliqaj tha se nuk dëshiron koalicion me VV-në pasi kanë dallime thelbësore për çka edhe janë larguar prej këtij subjekti politik.

Sipas tij, ata do të garonin me ish-partinë vetëm në rast të një koalicioni të gjerë mes të gjitha partive opozitare.

Gjithsesi, ai tha se preferon një koalicion parazgjedhor me Nismën, AKR-në dhe me AAK-në ose LDK-në, ose të gjitha këto parti bashkë.

Të dy, si Molliqaj dhe Sejdiu, janë shprehur kundër idesë për një koalicion me PDK-në.

Gjithsesi, një vendim nëse PSD do të garojë e vetme në zgjedhje ose në koalicion, zyrtarët e kësaj partie thanë se do ta marrë Këshilli Drejtues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat