IPK: Policët e suspenduar të Gjakovës nuk morën pjesë në arrestimin e të dyshuarit, e keqtrajtuan në stacion

Aktuale

IPK: Policët e suspenduar të Gjakovës nuk morën pjesë në arrestimin e të dyshuarit, e keqtrajtuan në stacion

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 16:55
Foto ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës sqaroi edhe njëherë rastin e pezullimit të gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë.

IPK thotë se fillimisht pranuan informacione nga Avokati i Popullit lidhur me dyshimet për tejkalim të autorizimeve policore, respektivisht keqtrajtimin e një të arrestuari nga disa zyrtarë policorë në objektin e Stacionit Policor në Gjakovë.

Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke siguruar dëshmi, e edhe video incizime, për keqtrajtimin e një të arrestuari në objektin e stacionit policor nga gjashtë zyrtarë policorë të cilët tashmë janë suspenduar.

IPK thotë se asnjë nga zyrtarët e suspenduar nuk kanë marrë pjesë në operacionin arrestimit të këtij të dyshuari.

Pas mbledhjes së dëshmive nga hetuesit në konsultim me prokurorinë kompetente, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

IPK thotë se ka për obligim që të hetojë në mënyrë efektive secilin pohim për keqtrajtim nga policia ose tejkalimit të autorizimeve policore me rastin e përdorimit të forcës fizike që del si obligim edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndryshe, në Gjakovë është protestuar për rikthimin në detyrë të këtyre gjashtë zyrtarëve policorë, përfshirë edhe komandantin e stacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat