Bulliqi i përgjigjet Mustafës si anëtar i VV-së: Detyrove deputetët ta votojnë Demarkacionin

Aktuale

Bulliqi i përgjigjet Mustafës si anëtar i VV-së: Detyrove deputetët ta votojnë Demarkacionin

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 17:11
Shpejtim Bulliqi e Isa Mustafa

Shpejtim Bulliqi, prurja më e re e Lëvizjes Vetëvendosje edhe sot e kësaj dite përplaset me ish-shefin e tij, Isa Mustafa për çështjen e Demarkacionit. Kryetari i LDK’së tha sot se Bulliqi i ka borxh tokë Kosovës për shkak se këmbëngulte që po i jepeshin Kulla e Zhlepit e Çakorri Malit të Zi. Anëtari më i ri i VV’së i përgjigjet Mustafës.

Gjeografi nga Podujeva, ish-deputet i LDK’së, ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Demarkacionit me Malin e Zi, bashkë me partitë opozitare atëherë (VV, AAK e Nisma).

Bulliqi sot ka kaluar në partinë e Vetëvendosjes, e për këtë aderim thotë se do të flasë ditëve në vijim.

Ish-deputeti i LDK’së e la përfundimisht partinë kur Isa Mustafa u rizgjodh kryetar. Edhe kaq kohë pas votimit të demarkacionit Mustafa e Bulliqi fajësojnë njëri – tjetrin për vijën kufitare me Malin e Zi.

Bulliqi ka thënë të premten se ai është munduar ta mbrojë territorin në çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, ndërsa fajëson Mustafën se u ka bërë presion deputetëve të LDK’së ta votojnë marrëveshjen e parë të Demarkacionit.

“Unë jam munduar dhe mundohem ende ta mbrojmë atë territor ndërsa Isa Mustafa i ka detyruar deputetët e vet madje disa edhe përkundër hezitimit të tyre që ta votojnë atë marrëveshje. E ai e di fare mirë cili ka qenë vendim i Kuvendit”, është shprehur anëtari i ri i Vetëvendosjes.

E Mustafa ka thënë të premten se Bulliqi i ka tokë borxh Kosovës dhe se ai duhet të jap përgjegjësi për moskthimin e pikës kufitare në Çakorr dhe Zhlep, aty ku ai pretendonte se është.

“Është çështje e vullnetit të tij politik, mirëpo Shpëtimi i ka mbetë borxh këtij vendi, çështjen e kufirit me Malin e Zi, ka mbet borxh bashkë me kryeministrin Haradinaj ta kthejë kufirin në Çakorr dhe Zhleb, sepse kanë qenë premtime të mëdha të tyre dhe ato premtime nuk mundet as Bulliqi, as kryeministri t’i mbulojë, njëri me dorëheqje, tjetri me kalim në parti tjetër”, ka thënë Mustafa. 

Pasi që Demarkacioni kishte dështuar të ratifikohej gjatë kohës kur Mustafa ishe kryeministër, vendi shkoi në zgjedhjem ndërsa Ramush Haradinaj si shef i Qeverisë  krijoi një komision të ri për rishikimin e kufirit me Malin e Zi. Në krye vendosi Shpejtim Bulliqin.

Demarkacioni me Malin e Zi kaloi në Kuvend me 81 vota, vetëm pasi presidenti i Kosovës dhe presidenti i Malit të Zi nënshkruan një dokument, sipas të cilit, kufiri do të rishikohej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat