Pas një sëmundje të rëndë, ndërron jetë gazetari njohur shqiptar

Aktuale

Pas një sëmundje të rëndë, ndërron jetë gazetari njohur shqiptar

Nga: V.R Më: 16 gusht 2019 Në ora: 18:15

Në mesditën e së premtës, ka ndërruar jetë gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku, redaktor e kryeredaktor, reporter dhe një nga mendjet më të prehta në fushën e publicistikës.

Unioni i Gazetarëve Shqiptar ka shprehur ngushëllimin nëpërmjet një shkrimi të botuar në faqen kryesore.

Postimi plotë:

 

Lamtumirë i shtrenjti ynë Fatos Baxhaku!!!

Ndahet nga jeta gazetari i shquar Fatos Baxhaku, një ndër të rrallët profesionistë të gazetarisë bashkëkohore shqiptare. Themelues i disa të përditshmeve në shtypin pluralist shqiptar dhe nismëtar themelues i organizatës më të madhe të gazetarëve, Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Tiranë 16.08.2019

Gazetari Fatos Baxhaku një nga reporterët, redaktorët, kryeredaktorët e rrallë, i shumëvlerësuar si pionier i shtypit të pavarur që nga fillimvitet '90-të, autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar dhe reportazhisti me ndjeshmëri të pashoqe profesionale dhe njerëzore, ka ndërruar jetë sot, më 16 gusht 2019, në moshën 55-vjeçare. Prej disa kohësh kolegu ynë i dashur përballej në heshtje sizifi me sëmundjen e rêndë duke zgjedhur dhe preferuar që kapitullin e fundit të betejës fatale ta vijonte me heshtjen e vet fisnike te modestisë dhe larg zhurmës. Fatosi zgjodhi ta mbante për vete këtë ikje të parakohshme duke i lënë në provën e vështirë të ikjes së parakohshme, të gjithë miqtë dhe kolegët e tij.
Miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë Fatos Baxhaku lindi në Tiranë në vitin 1964. Të gjitha ciklet arsimuese i kreu në kryeqytet, deri ne vitin 1986, kur përfundoi Fakultetin e Histori-Filologjisë në UT.
Pas kësaj periudhe ai ndoqi një karrierë tê gjatë, së pari në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe më pas duke mos u shkeputur asnjë moment kontribuoi në gazetsrinë e shkruar dhe atë audiovizive.

Jeta e tij në redaksitë e mediave pasoi kêtë udhëtim:

Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i "Gazetës Shqiptare".
Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në Tv "Klan".
Në1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës javore "XXL".
Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe reporter telereportazhi në Tv "Vizion Plus".
Në 2006-2007 ishte kryeredaktor dhe gazetar i reportazhit në gazetën ditore "Shqip".

Prej vitit 2015 kalon gazetar në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkëautor shumë cikleve me telereportazhe të cilat u bënë të shumëndjekura dhe popullore ai: "Tunel" (Vizion Plus), "Rrugëtim" (Top Channel), "Shtëpia e vjetër" (Digitalb).
Ai është autor dhe realizues i shumë dokumentareve televizive me tema dhe pêr personalitete nga kultura dhe historia kombëtare.

Ka lektoruar në degët e gazetarisë të Universiteteve të Tiranës, Elbasanit dhe në qindra trainime e leksione të hapura për gazetarët e rinj ne qytetet kryesore të hapësirës shqiptare. Ai ka botuar një cikël të rrallë librash me reportazhe, portrete, ese dhe artikuj kritikë e analitikë.
Kolegu ynë i shquar Fatos Baxhaku ka qenë shpesh në nisma dhe reagime qytetare si aktivist i mençur dhe qytetar me klas.

Baxhaku ka qenë i përfshirë në lëvizje dhe preokupime gjurmëlënëse të shoqërisë shqiptare të këtyre 30 viteve, duke u bërë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, drejtues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë si dhe i disa grupimeve në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë dhe pasurive identifikuese kombëtare shqiptare.
Si gazetar dhe mjeshtër i dokumentarit dhe reportazhit ai u përfshi në bashkëpunime të shumta me organizata të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare si dhe me aktorë të huaj që mbeten aktorë potencialë në mbështetjen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Për këto kontribute dhe vlera që mishëroi në jetën dhe karrierën e vet si gazetar, Fatos Baxhaku meritoi shumë çmime dhe çertifikime kombëtare dhe ndërkombëtare, mes të cilëve edhe çmimin më të rëndësishëm " Karriera" që jepet nga organizata që e bashkëthemeloi, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Ndarja nga jeta parakohe e kolegut tonë të shtrenjtë Fatos Baxhaku, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme.
Komuniteti i gazetarëve profesionistë të vendit humbi një model profesionisti që përherë diti të bëjë mirë atë që duhej.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë humbi themeluesin dhe kolegun e shtrenjtë e të paharrueshëm, familja birin e urtë e të palodhur.
U prehsh në paqe vëllai dhe kolegu ynë i shtrenjtë Baxhaku!!

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat