“Kosova drejt dështimit të radhës për anëtarësim në INTERPOL”

Aktuale

“Kosova drejt dështimit të radhës për anëtarësim në INTERPOL”

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 19:42
Foto ilustrim

Disa herë me radhë Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Organizatën e Përgjithshme të Interpol .

Edhe 20 nëntori i vitit të kaluar ishte zhgënjyes për vendin tonë .

Kosova nuk  arriti të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Por si pritet të shkojë procesi i lobimit dhe a do të ketë rezultate pozitive këtë vit ?

Hulumtuesi i lartë në IKD Ehat Miftaraj thotë se gjasat për anëtarësim në Interpol edhe këtë vit janë minimale .

Ai thekson se  me këtë politikë të jashtme të zbehtë që ka Kosova nuk pritet ndonjë rezultat ndryshe nga viti 2018.

“Viti 2018 ishte karakterizuar me një fushatë agresive të Serbisë ndaj anëtarësimit në Interpol dhe  me një debakël të MPJ për të bindur shtetet për të votuar në favor të Kosovës.

Për më tepër një numër i madh i shteteve mike që kanë njohur shtetin e Kosovës ose kishin abstenuar apo nuk kishin marr pjesë fare në votim.  Këtë vit konferenca e përgjithshme e Interpol-it organizohet në Santiago, të Republikës së Kilit, një vend që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, andaj edhe qasja e Republikës së Kosovë për lobim në ditët kur do të zhvillohet konferenca është shumë më e kufizuar.

Në anën tjetër, përderisa përvoja e deritanishme ka dëshmuar se Kosova më këtë MPJ dhe me këtë politikë të jashtme të zbehtë, pa vizion dhe kapacitete profesionale pothuajse gjasat që Kosova të ketë sukses janë minimalisht të vogla.  Sikurse faktor tjerë që mund të kenë rol në suksesin apo jo të Kosovës në ketë proces është përkrahje dhe roli i vendeve që kanë autoritet ne Amerikën latine dhe vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, duke mos përjashtuar rolin destruktiv të Serbisë”  deklaroi Miftaraj.

Ndërsa njohës i çështjes së sigurisë në Kosovë Avni  Islami jep më shumë detaje dhe tregon pse është zvarritur kaq shumë ky proces .

Ai përmend ofensivën Ruso-Serbe dhe dështimin total të diplomacisë kosovare si dy faktorët kryesorë për rezultatet negative në këtë proces.

“Dështimi i pranimit të policisë së Kosovës në këtë organizatë i ka dy adresa, e para dhe kryesorja është ofenziva brutale  e boshtit Rusi – Serbi dhe e dyta dështimi total i diplomacisë së jashtme të Kosovës. Gjatë dy viteve që i lamë, presidenca dhe ministria e pune te jashtme do të mbahen mend për dështimet e tyre, lere më që nuk na njohu as  një shtet por për fat të keq i tërhoqën njohjet disa shtete prandaj edhe mos pranimi në INTERPOL nuk do të duhej të lidhet me këto zgjedhje, është dashur të punojnë institucionet politike e profesionale, pavarësisht se ka apo nuk ka zgjedhje”

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010.

Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare ndërsa disa herë të tjera ka dështuar duke mos marrë votat e nevojshme .

Edhe këtë vit vendi ynë pritet të aplikojë për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare  të Interpol që do të mbahet në Santiago të Republikës së Kilit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat