Molliqaj pas koalicionit me AAK-në: Do të qeverisim, do t’i dalim përballë krimit e korrupsionit

Aktuale

Molliqaj pas koalicionit me AAK-në: Do të qeverisim, do t’i dalim përballë krimit e korrupsionit

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 17:01
Dardan Molliqaj dhe Ramush Haradinaj

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me AAK-në, ka shkruar se partia e tij bënë pjesë te ata që e ndalën PDK-në e planet e Hashim Thaçit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Molliqaj thotë se së bashku me tash partnerët e koalicionit e ndalën Serbinë e Listën Serbe, Zajednicën e shkëmbimin e territoreve, derisa Molliqaj përmendi edhe taksën.

Postimi në Facebook: 

Ua kam kërkuar votën para dy viteve për ta ngritur në Kuvend zërin tuaj të pakënaqur e të papërfaqësuar. U kam kërkuar që t'më votoni, nën betimin që do ta luftojmë SHIK-un dhe PDK-në, e do t'i japim fund politikës nënshtruese ndaj Serbisë.

E saherë që më kanë akuzuar gjatë këtyre dy viteve se ndryshova, ju kam kërkuar që të presin e të shohin. Të mos nguten me përfundime të hershme, sepse po: fundi e rikuptimëson fillimin.

Ata që vet u hapën për bashkëpunime me PDK-në, kishin vetëm FJALË kundër PDK-së e Hashim Thaçit. Ne të tjerët, e ndalëm PDK-në dhe planet e Thaçit.

Ata që na shajtën plot mllef, kishin vetëm FJALË kundër Serbisë. Ne të tjerët që sot po bashkohemi, e ndalëm Serbinë. Lista SRPSKA u defaktorizua. Nuk ka Zajednicë. Nuk ka shkëmbim. Ka TAKSË 100%.

Ata FOLËN bukur se si do të dukej Kosova sovrane. Por ne që sot po bashkohemi, e bëmë Ushtrinë e Kosovës - që sa për ta, do të mbetej veç një ëndërr e bukur.

Përderisa ata me inatin e tyre u morën dy vite vetëm me ne dhe ndiqnin lepuj rrugëve të Prishtinës, ne shtynim përpara politika që përmirësojnë direkt jetën e qytetarëve. Shkarkuam Rikallon. Ngritëm pagën minimale. E ndaluam dialogun e Thaçit për territorin e Kosovës. Filluam reformën për pensione.

Për këto ideale u angazhova në politikë, dhe këtyre idealeve do t’iu qëndroj besnik.

Ne besojmë në të njëjtat gjëra që kishim besuar gjithmonë: Kosovën sovrane, me ushtri dhe krenare përballë Serbisë; Kosovën pa PDK-në në pushtet, pa krim e korrupsion, me barazi sociale e zhvillim ekonomik. Ata nuk besojnë më në koncepte. Besojnë vetëm në një njeri. Një njëri që ka mbetur i vetëm, i rrethuar nga komandantë të PDK-së në njërën anë, e enveristë të PDK-së në anën tjetër.

Sot krijuam koalicionin e ndryshimit që fitoren e ka të sigurt. Koalicionin që do të qeveris dhe Kosovën do ta pozicionojë fuqishëm përballë Serbisë, përballë krimit e korrupsionit dhe përballë varfërisë e pabarazisë. Koalicion nëpërmjet të cilit ne do t’i shtyejmë edhe më tej këto politika.

Bashkimi ynë i sotëm është veç fillimi i fitorës së madhe ?

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat