“Njeriu i haraçit”, “i paaftë për përballje me Albin Kurtin”, “i nënshtruari i Klanit Pronto”, ky ishte Ramush Haradinaj për Dardan Molliqajn

Politika

“Njeriu i haraçit”, “i paaftë për përballje me Albin Kurtin”, “i nënshtruari i Klanit Pronto”, ky ishte Ramush Haradinaj për Dardan Molliqajn

Nga: N.H Më: 19 gusht 2019 Në ora: 18:09
Ramush Haradinaj dhe Dardan Molliqaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, duket se u ka rënë pishman akuzave që i kishte bërë dikur ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Tash kur AAK-ja dhe PSD-ja janë afruar edhe zyrtarisht, Molliqaj deklaron se së bashku me Haradinajn janë të gatshëm ta ndalin PDK-në dhe planet e Hashim Thaçit për Kosovën.

Molliqaj thotë se së bashku me tash partnerët e koalicionit e ndalën Serbinë e Listën Serbe, Zajednicën e shkëmbimin e territoreve, derisa Molliqaj përmendi edhe taksën.

“Përderisa ata me inatin e tyre u morën dy vite vetëm me ne dhe ndiqnin lepuj rrugëve të Prishtinës, ne shtynim përpara politika që përmirësojnë direkt jetën e qytetarëve. Shkarkuam Rikallon. Ngritëm pagën minimale. E ndaluam dialogun e Thaçit për territorin e Kosovës. Filluam reformën për pensione”, deklaron Molliqaj.

Por, çka deklaronte në të kaluaren Molliqaj për shefin e tij të tanishëm.

Ai në të kaluarën e ka akuzuar Haradinajn në forma të ndryshme, dhe se një prej tyre ishte edhe haraçi. Gjithashtu ish-sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje thoshte dikur se Haradinaj është i paaftë për përballje me Kurtin, shkruan “Bota sot”.

Në një video të siguruar, për rreth 5 minuta, Molliqaj nuk i ndal “thumbimet”, për kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Ndërsa, në një kundërpërgjigje, vëllai i Ramushit, Dauti i kishte thënë Molliqajt se po koritet.

“Ai djalë po koritet, pasi kam lidhje familjare me të”, kishte thënë Haradinaj dikur për Molliqajn.

Kujtojmë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti edhe zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor.

Këshilli drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot ka mbajtur takimin ku është votuar që të bëjnë koalicion parazgjedhor me PSD-në.

Në një komunikatë për media të AAK-së thuhej se i është dhënë mandati kryetarit Ramush Haradinaj që ta zgjeruar koalicionin dhe eventualisht zgjerimin e tij me parti tjera.

“Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka votuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Social Demokrate të Kosovës. Njëkohësisht, Këshilli Drejtues i AAK-së, që është organi më i lartë drejtues i Partisë, e ka mandatuar kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, për diskutime për zgjerimin eventual të Koalicionit parazgjedhor të AAK-së” thuhet në komunikatën e AAK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat