Akuzohet për tenderin prej 300 mijë eurosh që ia dha vëllait të tij, caktohet seanca ndaj Haki Rugovës - Bota Sot
Akuzohet për tenderin prej 300 mijë eurosh që ia dha vëllait të tij, caktohet seanca ndaj Haki Rugovës

Aktuale

Akuzohet për tenderin prej 300 mijë eurosh që ia dha vëllait të tij, caktohet seanca ndaj Haki Rugovës

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 12:00
Haki Rugova

Pas konfirmimit të aktakuzës nga të dy shkallët, Gjykata Themelore në Pejë, e ka caktuar seancën ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, i akuzuar për konflikt të interesit.

Rugova akuzohet lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rugova duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Gjykata Themelore në Pejë seancën gjyqësore ndaj Rugovës e ka caktuar më 23 tetor 2019.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.

Ndryshe, Gjykata e Apelit në qershor të këtij viti, e ka konfirmuar aktakuzën ndaj kreut të Komunës së Istogut.

Sipas vendimit të Apelit që kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, theksohet se është i pabazuar pretendimi i mbrojtjes se prokuroria ka dështuar të argumentojë lidhjen kauzale mes nënshkrimit të kontratës dhe realizimit financiar për vëllain e të pandehurit, Gani Rugova.

Si të pabazuar, Apeli e ka konsideruar edhe pretendimin tjetër të mbrojtësit të Rugovës, avokatit Besnik Berisha se në kohën e nënshkrimit të kontratës nga ana e të akuzuarit, Komuna e Istogut nuk kishte pasur nënkryetar dhe se të gjitha kontratat, pavarësisht vlerës së tyre, shkonin të kryetari Rugova për nënshkrim dhe se kontrata për të cilën akuzohet Rugova, kishte qenë në fuqi nga momenti i nënshkrimit nga menaxherja e prokurimit në Komunën e Istogut.

Të gjitha këto pretendime, Apeli i ka hedhur poshtë për shkak se sipas saj, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë, se Haki Rugova ka kryer vepër penale, për të cilën po akuzohet.

“Nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani për tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilën është akuzuar i akuzuari Haki Rugova dhe se nga provat të cilat i ka propozuar prokurori për lexim gjatë shqyrtimit gjyqësor, në të cilat prova e ka mbështetur dyshimin e bazuar mirë me rastin e ngritjes së aktakuzës do të vlerësohen në shqyrtim gjyqësor”, thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli ka vlerësuar se të gjitha provat janë të pranueshme dhe të mbështetshme, të cilat do të shtjellohen në shqyrtim kryesor.

Gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar se edhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë për refuzimin e kërkesave për hudhjen e aktakuzës ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm,

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 17 janar 2019, Haki Rugova ishte deklaruar i pafajshëm në lidhje me këto akuza.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...