Bardhyl Meta i reagon ashpër Konjufcës për ultimatumin që ia dha LDK’së, e quan axhami dhe tinejxher

Aktuale

Bardhyl Meta i reagon ashpër Konjufcës për ultimatumin që ia dha LDK’së, e quan axhami dhe tinejxher

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 17:37
Glauk Konjufca dhe Bardhyl Meta

Ish-deputeti i LDK-së, Bardhyl Meta iu është kundërpërgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës dhe deklaratave të tij të dhëna mbrëmë në emisionin DPT te Fidani në T7, ku ky i fundit tha se 23 gushti është data e fundit që e presin LDK-në për koalicion.

Përmes një shkrimi në Facebook, Meta ka thënë se ka marrë disa pyetje nga miqtë e tij, nëse Konjufca është në të vërtetë pro një koalicioni me LDK-në, apo po angazhohet politikisht për të kundërtën.

Ai ka dhënë edhe këndvështrimin e tij për këtë çështje. Sipas tij është e pandershme kjo ndërhyrje  Konjufcës se kush duhet të jetë kandidat i LDK-së, për kryeministër e kush jo.

Deputetin e VV-së, Meta e ka quajtur axhami dhe tinejxher.

“Të mos flas, më tutje, për axhamillëqet tjera të dala nga goja e Glaukut në dy paraqitjet e tij në TV me temë “Koalicioni i presypozuar dhe besa edhe dëshiruar, LDK-VV” – siç ishin konstatimet e tij, se LDK qenke shumë heterogjene, me divergjenca të mëdha për brenda etj, etj… por, pa harruar edhe “Ultimatumet” e tij prej tinejxheri, se nëse s’përgjigjen deri më 23 Gusht, 27 Gusht apo si ishin ato belbëzimet improvizuese, atëherë VV do të bëjë namin… (Me gjasë shkarravitet, si zakonisht)?!”, ka shkruar tutje ish-deputeti i LDK-së.

“Ajo që dua të them, gjithherë nga këndvështrimi im, është se për koalicion e bashkëpunim në Qeverisjen e vendit, sikurse edhe për dakordim rreth programit të detajuar qeverisës dhe për përgjigje të unifikuara të koalicionit eventual LDK-VV – në përballjet me sfidat e shtet ndërtimit, ato kombëtare e ndërkombëtare, sfidat zhvillimore, të ekonomisë e ndërmarrësisë, shtetit ligjor dhe kohezionit shoqëror – sfera në të cilat, pa asnjë dyshim, kemi divergjenca të mëdha, shpesh herë substanciale – lypset medoemos nga strukturat e të dyja palëve, një porcion i madh kulture e respekti të ndërsjellë, një shkallë e lartë maturimi e përgjegjësie, sikur që lypset edhe debat shterues, jo për emra (siç bënte Glauku), sa për përmbajtjet e zgjidhjet programore e sistemore për pothuaj Cdo sferë qeverisëse. Dhe, përtej kësaj, medoemos, kërkohet edhe punë pa zhurma, pa kukurisje e teatro popullisite, veçanërisht jo, aso të tinejxherëve, të cilët sa herë që s’marrin çokollatat e dëshiruara, shkarraviten e bëjnë potere”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat