Veseli: Të gjithë të korruptuarve do t’u konfiskohet pasuria e paligjshme

Aktuale

Veseli: Të gjithë të korruptuarve do t’u konfiskohet pasuria e paligjshme

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 14:02
Veseli: Të gjithë të korruptuarve do t’u konfiskohet pasuria e paligjshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vizituar sot Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, e cila administron me asete të konfiskuara në vlerë prej rreth 40 milionë euro.

Aty, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se lufta kundër korrupsionit do të intensifikohet,  dhe pasuria e paligjshme e fituar përmes korrupsionit dhe abuzimeve do t’u sekuestrohet dhe konfiskohet të gjithë të korruptuarve.

Pas vizitës që bëri, lideri i PDK-së tha se ligji është më i fuqishëm se çdo individ, andaj duhet t’i përmbahen të gjithë.

Veseli: Ligji është më i fuqishëm se çdo individ

“Kështu dhe këtu kanë me përfunduar të gjithë ata që mendojnë me prek mbi pasurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky është mesazhi të cilin do ta jepja. Më i fuqishëm se çdo individ në Kosovë, sado i fuqishëm, është ligji. Ligjit duhet t’u përmbahen të gjithë. Lufta kundër korrupsionit do të jetë e pakompromis. E di që është e vështirë, ka vështirësi, presim përkrahje prej qytetarëve dhe do të shkojmë deri në fund. E përgëzoj ministrin, besoj tek të rinjtë që e luftojnë korrupsionin. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ka dy vite që jemi në fazën e krijimit të legjislacionit, përfshirë edhe kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë. Do të shkojmë një për një. Kush ka fituar djersën e të tjerëve, do t’ua marrim, e ata të cilët jetojnë me djersën e vet kanë me u pasuru më shumë dhe kanë me pas perspektivë”, tha ai.

Veseli tha se pasuria e konfiskuar prej të korruptuarve do t’i kthehet shoqërisë dhe ato miliona euro do të investohen në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë, që të ardhmen e tyre do ta ndërtojnë në Kosovë.

E ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se vetëm gjatë këtij viti, janë rreth 64 raste të konfiskimit, përfshirë vetura, prona të paluajtshme e para të gatshme.

Tahiri: Ka qenë përkushtim personal i Kadri Veselit fuqizimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

“Me miratimin e ligjit të ri në vitin 2018, ligji për kompetenca të zgjeruara të konfiskim pasurisë, gjë për të cilën e falënderoj kryetarin e Parlamentit, që ka qenë përkushtim personal i tij dhe angazhim personal i tij në rritjen dhe fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rrjedhimisht pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tashmë është rritur numri i aseteve të cilat janë të konfiskuara. Aktualisht, vetëm gjatë vitit 2019 i kemi diku rreth 64 raste të cilat janë të konfiskuara, pra përfshirë vetura, prona të paluajtshme, para të gatshme. Tashmë janë duke u parë edhe efektet në teren të implementimit të ligjit të kompetencave të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë. Pra, ka qenë përkushtim personal i zotit Veseli, i kryetarit të Parlamentit të Kosovës, edhe implementimi i këtij ligji që është mjaft i rëndësishëm në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. E vetmja m ënyrë që të dobësojmë fuqinë e grupeve kriminale, që t’i shkatërrojmë grupet kriminale, nuk është thjeshtë ndalimi i tyre dhe burgosja e tyre, ato shkatërrohen atëherë kur arrijmë me i konfiskua asetet të cilat i kanë fituar me veprimtari kriminale”, tha ai.

Ai falënderoi Veselin për mbështetjen që i ka dhënë atij si ministër i Drejtësisë për të filluar dhe forcuar luftën kundër korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat