Liburn Aliu: Koalicioni me LDK-në duhet të ndodhë patjetër. Ky duhet të jetë kandidati për kryeministër - Bota Sot
Liburn Aliu: Koalicioni me LDK-në duhet të ndodhë patjetër. Ky duhet të jetë kandidati për kryeministër

Aktuale

Liburn Aliu: Koalicioni me LDK-në duhet të ndodhë patjetër. Ky duhet të jetë kandidati për kryeministër

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 23:56
Liburn Aliu

Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se partia e tij dhe LDK-ja janë të obliguara të mendojnë për koalicion parazgjedhor duke u bazuar nga e kaluara, kur koalicione parazgjedhore janë bërë në minutat e fundit.

Duke folur në Interaktiv të KTV-së, për bisedimet mes dy partive lidhur me një koalicion të mundshëm parazgjedhor, Aliu ka thënë se një koalicion i tillë do të garantonte ndryshimin në Kosovë.

“Ka pas takime para disa ditësh, ku morën pjesë edhe shefi i grupit parlamentar dhe nënkryetari e është diskutuar që të ketë edhe grupe punuese që të flitet për një koalicion të mundshëm. Konsideroj se është i nevojshëm. Do të bënte të sigurt fitoren dhe do të garantonte ndryshimin. Meqenëse të gjitha subjektet deklarojnë për ndryshim, edhe ato që ishin pjesë e ndërtimit të kësaj gjendje, është e qartë se ndryshimin mund ta sjellë Vetëvendosje edhe në partneritet me LDK-në, me të cilën ishim bashkë në opozitë, e kësisoj të garantohet kthesa e madhe në këtë vend”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështja e kandidatit për kryeministër duhet të qartësohet, por para kësaj, Aliu ka thënë se duhet të jetë çështja e programit dhe të dihet se cilët do të jenë hapat e parë që do të ndërmerrte një qeveri potenciale ku udhëheqin VV e LDK.

Për kandidatin më të mirë, Aliu ka thënë se mendon që kjo i takon Albin Kurtit, kreut të VV-së. Këtu ai thotë se duhet bazuar në faktin që Kurti ishte më i votuari në zgjedhjet e fundit dhe se “ai është i duhuri për këtë moment”.

“Ne mendojmë se e meriton Albin Kurti. Ka pas më së shumti vota. Ka një ambient pozitiv të krijuar ndaj Albinit, bazuar në votat nga e shkuara. Mendojmë se ai është i duhuri për këtë moment, gjithmonë në bashkëveprim me partnerin në koalicion. Do të ketë rezistencë të madhe nga ata që kanë monopole. S’do të jetë i lehtë ndryshimi. Çdo lloj tentative për ndryshim s’do të jetë e lehtë. Për të luftuar korrupsionin duhet figurë që nuk frikësohet e nuk korruptohet”, ka shtuar Aliu, teksa ka theksuar se për një koalicion ka disponim në të dy partitë. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Të dy palët janë të vetëdijshme se sado që të shkonin vetë, edhe LDK edhe ne duam, por duke pas parasysh kur jemi në një situatë ku koalicionet mund të dalin të parat e të rrezikojnë ndryshimin që po flasim e qytetarët po e presin e kemi obligim që të bashkohemi e të mos dalim vetë e vetë. Sado që më 2017, VV doli mbi 30 për qind, koalicioni PAN si koalicion kishte 39 deputetë dhe doli në vend të parë”.

Sipas Aliut, nëse LDK dhe VV hyjnë të vetme në zgjedhje dhe në fund fiton një kandidat “që do të vazhdonte politikën e deritashme, duhet të gjithë të ndihemi përgjegjës”.

“Nëse shkojmë vetë të gjithë, atëherë duhet të mbajmë pjesën tonë të fajit. Nëse shkojnë të gjithë vetë, do të ishte në rregull. PDK vetë, AAK me PSD-në vet, LDK vetë e ne vetë, do të ishte betejë korrekte, le të fitojë më i miri. Por meqenëse mund të ndodhin koalicione, jemi të obliguar të mendojmë për koalicion dhe e kemi detyrë të mendojmë”, ka deklaruar më tej Aliu. “S’duhet t’i lëmë gjërat për fund. Nëse bëhet koalicion siç dinë të tjerët, pak para orës 12:00, nuk do të ishte mirë. Një koalicion do të ishte më i fortë e më i vendosur nëse qartësohet me kohë gjithçka. Edhe nëse hymë në aso koalicioni, vetë do të isha me një shqetësim sepse u vendos shpejt e shpejtë. Do të ishte më mirë më herët për të dy anëtarësitë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...