Bashkësia Islame e Kosovës tregon pse janë asgjësuar 21 tonë mish

Aktuale

Bashkësia Islame e Kosovës tregon pse janë asgjësuar 21 tonë mish

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 12:38
Ilustrim

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, njofton se më datë 21 gusht 2019, ka kërkuar nga AUVK-u, që të jap mendimin profesional për sigurinë e një sasie të mishit të kurbaneve që ndodhej në depon e cila është marrë me qira.

AUVK është kontaktuar pas dyshimit që kanë ngritur aktivistët dhe një pjesë e përfituesve të mishit të kurbanit.

Me të marrë këtë shqetësim, Kryesia e BIK-ut, sipas njoftimit të tyre, fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen, e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë.

“Inspektorët e AUVK pasi që kanë dalë në vendngjarje, kanë konstatuar se mishi që gjendej në depo nuk është i sigurt për konsumim dhe se i njëjti duhej të asgjësohej, gjë që edhe ka ndodhur, pra është asgjësuar në të njëjtën ditë nën mbikëqyrjen e AUVK, duke respektuar të gjitha procedurat që i parashohin ligjet në fuqi.

Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin e gjerë se sivjet ka therur kurban 1391 krerë lopë. Aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari, ku janë therur 1150 krerë lopë dhe një në Istog, ku janë therur 241 krerë lopë.

Mishi i asgjësuar i përket një sasie të mishit të therur në Istog, që sipas inspektorëve të AUVK është prishur, pasi që nuk është ngrirë në përmasat e duhura.

Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente do t’u shpërndahet kategorive sociale”, thotë BIK.

Kryesia e BIK-ut, sqaron për besimtarët që kanë porositur kurban në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të të gjeturave do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat