Amerika iu cakton “detyrë të madhe” kandidatëve për kryeministër të Kosovës

Aktuale

Amerika iu cakton “detyrë të madhe” kandidatëve për kryeministër të Kosovës

Nga: A.ZH Më: 23 gusht 2019 Në ora: 22:03
Ambasadori amerikan në Kosovë Phillip Kosnett

Dje është shpërndarë legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës. 89 deputetë të Kuvendit votuan për shpërndarjen e Parlamentit.

Për këtë lajm, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë Phillip Kosnett, i cili e ka quajtur një hap të rëndësishëm përpara drejt krijimit të qeverisë së re, përcjell Bota sot.

Ai në reagimin e tij në Twitter, ka vënë theksin tek dialogu me Serbinë, duke thënë se Kosovës i duhet një fushatë me kandidatë, të cilët ofrojnë ide të reja për bisedimet.

Në këtë mënyrë, sipas Kosnett, Kosova nuk do të humbasë edhe më shumë kohë në ndërtimin e themeleve për të ardhmen.

“Kuvendi ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara drejt krijimit të qeverisë së re. Një fushatë në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik do të siguronte që Kosova nuk do të humbas edhe më shumë kohë në ndërtimin e themeleve për të ardhmen”, ka thënë ambasadori Kosnett.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, mbetet që presidenti i vendit Hashim Thaçi të caktojë datën e zgjedhjeve të reja, pas konsultimeve me partitë politike.

Ai ende nuk ka përmendur ndonjë datë se kur do të mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Por, në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka përmendur 29 shtatorin dhe 6 tetorin, si data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat