LAJMI I FUNDIT: Kryeministre e ardhshme e Kosovës do të jetë Vjosa Osmani

Aktuale

LAJMI I FUNDIT: Kryeministre e ardhshme e Kosovës do të jetë Vjosa Osmani

Nga: D.RR Më: 26 gusht 2019 Në ora: 15:56
LDK

(E plotësuar) - Pas mbledhjes së dytë të kryesisë për mandatarin për kryeministër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur marrëveshje që në zgjedhjet e parakohshme kandidate për të parin e qeverisë nga radhët e kësaj partie të jetë Vjosa Osmani.

Kjo e fundit ka premtuar se do të nxjerrin vendin nga humnera, dhe se qytetarët nuk do të ndihen më të pa zë.

I pari i kësaj partie, Isa Mustafa  para mediave tha se kandidatë për postin e kryeministrit nga radhët e LDK-së kanë qenë Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani, por kjo e fundit është zgjedhur mbi bazën e propozimit të vetë Hazirit.

Mustafa: LDK kandidat për kryeministër kishte  Lutfi Hazirin dhe Vjosa Osmanin

“Ne biseduam sot për kandidatin tonë për kryeministër, arritëm marrëveshjen me pajtim të plotë. Për kandidatë kemi pasur Lutfi Hazirin, i cili aktualisht është i komunës së Gjilanit, deri dje ka qenë nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, prej nesër do të jetë prapë.... Dhe po ashtu zonja Vjosa Osmani, e cila para tre-katër dite ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës, kryetare e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, veprimtare për një periudhë të gjatë. E kemi vlerësuar kontributin e të dyve lart, dhe nuk kemi bërë asnjë dallim, se kush ka merita më shumë apo më pak. Por, edhe mbi bazën e vullnetit tonë edhe propozimet e Lutfi Hazirit, jemi përcaktuar që kandidati ynë për kryeministër të Kosovës të jetë zonja Vjosa Osmani”, tha Mustafa.

Për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore, Musataf tha se Haziri do të ketë rol kyç në politikat e LDK-së dhe organizimin e fushatës. 

Ai ka treguar se a ishte ndonjë anëtar i kryesisë kundër nominimit të Vjosa Osmanit për kryeministre.

Mustafa: Askush nuk ishte kundër nominimit të Vjosa Osmanit për kryeministre

“Këtu s’kemi shumicë, këtu i kemi të gjithë. Asnjë nuk ka qenë kundër, do të thotë është vendim unanim i të gjithëve në rend të parë i Hazirit që ka qenë kandidat, sepse e kemi vlerësuar bashkërisht dhe kemi ardhur te vendimi”, tha ai.

Mustafa tha se i mbetet ekipit të vlerësojë sa i përket koalicionit të mundshëm parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është falënderuese për mbështetjen e Isa Mustafës. Derisa shtoi se së bashku me qytetarët do të nxjerrin vendin nga humnera.

Osmani: Ju garantoj qytetarëve që asnjëherë nuk do të ndihen që nuk kanë zë (Video)

“Bashkërisht me qytetarët e Kosovës, ta kthejmë Kosovën në rrugë të drejtë, që bashkërisht me qytetarët e Kosovës ta nxjerrim këtë vend nga humnera, në të cilën e kanë vendosur njerëzit e pandërgjegjshëm, njerëzit e korruptuar, të cilët asnjëherë interesin e qytetarëve të Kosovës nuk e kanë pasur prioritet. I garantoj qytetarëve të Kosovës që asnjëherë më nga sot e tutje nuk do të ndihen se nuk kanë zë, në veçanti të gjitha gratë, vajzat, nënat asnjëherë më nuk do të ndihen në Republikën e Kosovës që nuk kanë zë”, ka thënë ajo.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pas nominimit të Vjosa Osmani për kryeministre të vendit nga kjo parti, ka thënë se janë njerëz të durimit.

Haziri: Do ta rikthejmë LDK-në në forcën e parë politike në Kosovë

“Jashtë nesh mënyrën se si vendosim nuk po na kuptojnë të tjerët, dhe kjo është kultura e LDK-së, ku durimi, toleranca, bashkëpunimi edhe vlerësimi me racionalitet ka sunduar si vlerë politike. Natyrisht, e falënderoj kryetarin për besimin për delegim që politikat zgjedhore, dhe përfaqësimin e LDK-së në politikat zgjedhore në këtë proces shumë të rëndë politikë të ma besojnë mua që me ekipin dhe kandidatin e nominuar që do të jetë kryeministre pa asnjë dyshim. Ju garantojmë gjithë qytetarëve se nga kjo minutë e deri më 6 tetor do të punojmë që të festojmë bashkë dhe do ta rikthejmë LDK-në si forca e parë politike për dekadën e ardhshme”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, të shtunën e kaluar, pas zgjedhjes së kryesisë së re, LDK ishte mbledhur për të vendosur për kandidatin  për kryeministër nga kjo parti. Në këtë mbledhje patën munguar nënkryetari Lutfi Haziri dhe Agim Veliu. /Sh.Pajaziti/

***

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se kandidate e këtij subjekti politik për Kryeministre do të jetë Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se mbi bazën e vullnetit të partisë dhe me propozimin e Lutfi Hazirit, është caktuar që Vjosa Osmani të jetë kandidate për Kryeministre të ardhshme.

“Ne biseduam sot për kandidatin tonë për Kryeministër dhe arritëm marrëveshjen me pajtim të plotë. Për kandidat kemi pasur Lutfi Hazirin i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Gjilanit”.

“Haziri është një personalitet që ka merita të veçanta në LDK, prej themelimit të partisë e deri më tani”.

“Mbi bazën e vullnetit dhe propozimet e Lutfi Hazirit jemi caktuar që kandidate e jona, por edhe Kryeministre e ardhshme  të jetë Vjosa Osmani”.

Vjosa Osmani kandidate e LDK-së për kryeministre

Ashtu siç raportoi më herët gazeta "Bota sot", Vjosa Osmani tani edhe zyrtarisht është konfirmuar si kandidate për kryeministre të Kosovës.

***

Në këto momente është duke u mbajtur mbledhja e KP të LDK-së, ku pritet të vendosin për kandidatin për kryeministër dhe për mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen.

Mirëpo, burime të gazetës “Bota sot” brenda kryesisë, thonë se Vjosa Osmani është afër që të zgjidhet kandidate për kryeministre.

“Për momentin jemi në pauzë. Ka disponim nga shumica e kryesisë që Vjosa të jetë kandidate dhe 95% ajo do të zgjedhet, ama nuk i dihet deri në fund. Mirëpo ka edhe kundërshtime nga disa anëtarë të vjetër të partisë”, i thanë gazetës “Bota sot” burimet brenda kryesisë.

Gjithashtu, të njëjtat burime, thanë se ekziston mundësia që kandidati për kryeministër të shtyhet për ndonjë ditë tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat