Përfundon takimi Mustafa-Osmani-Kurti, këto janë detajet

Aktuale

Përfundon takimi Mustafa-Osmani-Kurti, këto janë detajet

Nga: N.H Më: 26 gusht 2019 Në ora: 18:09
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka folur pas takimit mes Albin Kurtit me Isa Mustafën, Lutfi Hazirin dhe Vjosa Osmanin, duke treguar se çfarë është diskutuar, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se temë kryesore e takimit ishte diskutimi i mundësive për krijimin e një koalicioni parazgjedhor i cili përfundimisht do të kthente shpresën tek qytetarët për një ndryshim thelbësor të modelit qeverisës në vend. Bislimi thotë se u morën vesh po ashtu që qeveria në ardhje si prioritet duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Para pak orësh, bashkë më kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE, Albin Kurtin dhe shefin e grupit parlamentar, z. Glauk Konjufca, ishim në një takim të kërkuar nga kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, e në të cilin ishin prezent edhe znj. Vjosa Osmani dhe z. Lutfi Haziri. Temë kryesore e bisedimeve ishte diskutimi i mundësive për krijimin e një koalicioni parazgjedhor i cili përfundimisht do të kthente shpresën tek qytetarët për një ndryshim thelbësor të modelit qeverisës në vend. U dakorduam që qeveria në ardhje si prioritet kryesor duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. E gjithë kjo si parakusht për fokusim në politika që krijojnë vende pune dhe rrisin mirëqenien.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbi 10 muaj që ka dërguar një propozim konkret tek z. Mustafa për modalitetet e ndërtimit të qeverisjes së ardhshme si dhe prioritetet kyçe, dhe mund të themi që nga ajo ditë nuk ka ndryshuar as edhe një germë nga kjo. Kjo vlen edhe për bindjen tonë që ky opsion do të krijonte sinergjinë e duhur duke e vendosur në krye të saj Albin Kurtin, me mundësi të dakordimit për një periudhë prej dy mandateve dhe rotacion. E shoh si shumë të rëndësishëm faktin që si nga Lëvizja VETËVENDOSJE! ashtu edhe nga LDK u zotuam se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk do ketë takime me cilindo nga subjektet tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Si LVV ashtu edhe për LDK ka vetëm një partner strategjik për ndërtimin e qeverisë së ardhshme. Na mbeten edhe tri ditë për të arritur marrëveshjen aq të pritur nga shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit.

***

Ka përfunduar takimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, të kandidates për kryeministre nga radhët e kësaj partie Vjosa Osmani dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, por pas takimit asnjëri prej tyre nuk janë deklaruar për media.

Takimi ka ndodhur pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, e cila nominoi për kryeministre Vjosa Osmani për zgjedhjet e 6 tetorit.

Në takim morën pjesë edhe Lutfi Haziri nga LDK dhe Besnik Bislimi nga LVV.

Isa Mustafa e Vjosa Osmani takojnë Albin Kurtin

Menjëherë pas konfirmimit të kandidaturës së Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK-ja, kjo e fundit së bashku me kreun e partisë, e me Lutfi Hazirin, shkuan për t’u takuar me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Mësohet se ky takim po mbahet në hotel Sirius në Prishtinë, derisa, pritet të flitet për dakordim lidhur me ndonjë koalicion të mundshëm, apo bashkëpunim, në ditën kur u përcaktua data e zgjedhjeve.

Takimi po vazhdon ende, derisa Kurti është në takim së bashku me Glauk Konjufcën dhe Besnik Bislimi.

Sot ndërkaq, Vjosa Osmani u zgjodh kandidate për kryeministre nga LDK-ja, pas një mbledhje që zgjati më shume se tre orë në selinë qendrore të kësaj partie.

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes Mustafa u largua nga selia me një veturë së bashku me Osmanin e Hazirin, derisa, besohet se menjëherë të tre këta shkuan në takim me Albin Kurtin.

***

Është duke qarkulluar lajmi se në këto momente kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, së bashku me kandidaten për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, janë duke zhvilluar një takim me të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Por, lidhur me këtë, burime të gazetës “Bota sot”, brenda LDK-së, ka thënë se nuk kanë një informacion lidhur me këtë takim.

“Nuk e di tani. Në zyret e LDK-së nuk ka takim. E nëse kanë shkuar ndonjë vend tjetër, është çështje tjetër”, i ka thënë gazetës burimi.

Kujtojmë se Vjosa Osmani është zgjedhur kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor.

Në fjalën e saj Osmani ka falënderuar të gjithë për përkrahjen, duke premtuar se së bashku me të gjithë LDK-në si ekip do të punojnë për të larguar klasën e korruptuar nga pushteti.

Lidhur me takimin, “Bota sot” do vazhdojë të ju informojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat