LDK dëshiron koalicion me VV, këmbëngul për postin e kryeministrit

Aktuale

LDK dëshiron koalicion me VV, këmbëngul për postin e kryeministrit

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 11:32
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Pas takimeve të njëpasnjëshme që janë zhvilluar sot në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e kandiduara e kësaj partie për kryeministër Vjosa Osmani tha se fokusi i këtij subjekti politik mbetet bashkëqeverisja me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa sipas saj Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur se kryeministri t’i takojë LDK-së.

Osmani ftoi Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohet LDK-së në bërjen e ndryshimeve historike siç i quajti ajo.

Osmani: Fokusi i LDK-së për partner qeverisës është me Vetëvendosjen

“Sot, unanimisht, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka votuar kundër çfarëdo koalicioni me PDK-në para apo pas zgjedhjeve, në të njëjtën kohë këshilli ka autorizuar kryetarin së bashku me nënkryetarin dhe mua të nominuar për kryeministre që të diskutojmë për koalicione potenciale parazgjedhore natyrisht me përkrahjen unanime të po këtij Këshilli që kandidat për kryeministër apo udhëheqja e qeverisë të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Fokusi ynë siç e dini ju për partner të ardhshëm për bashkëqeverisje është me Vetëvendosjen dhe do të diskutojmë në ditët në vijim...VV duhet t’i bashkohet LDK-së në ndërtimin e një epoke të re të ndryshimeve të mëdha, të cilat do të jenë ndryshime historike në Republikën tonë, do të jenë ndryshime që në radhë të parë do ta çkapim shtetin nga krimi dhe korrupsioni dhe në radhë të dytë do të hapin rrugë për zhvillim”, tha Osmani.

Teksa ka komentuar deklarimet e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sfeçla, i cili e ka konsideruar tinëzare LDK-në, Osmani tha se Vetëvendosje duhet t’i bashkohet LDK-së me qëllim të luftohet krimi dhe korrupsioni në Kosovë.

Osmani: Deklarimet e Sfeçlës tregojnë se bashkëpunimi nuk ka qenë i sinqertë

“Vetë deklarimet e tilla tregojnë që një bashkëpunim të tillë nuk e paskan pasur të sinqertë, mirëpo shpresoj shumë që ato qëndrime të mos të jenë edhe të lidershipit të kësaj Lëvizje. Ne jemi të hapur për bashkëpunim, jemi të hapur për diskutime, por kjo mund të ndodhë vetëm mbi bazat e respektit reciprok. Lidhja Demokratike e meriton një respekt të tillë“, tha ajo.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri menjëherë pas përfundimit të takimit me kryesinë, tha se tani diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje kanë kaluar në nivel të liderëve dhe se shpresojnë që të arrihet një marrëveshje pasi për këtë ekziston vullneti politik.

Haziri apeloi te dy taborët që të jenë më të përmbajtur në deklarimet e tyre.

Haziri: Vetëvendosje mos të ketë dilema për kapacitetin politik të Osmanit

“Është një format që ne kemi filluar ta bisedojmë. Ai format është i nivelit të liderëve. Unë dhe zonja Osmani, e nominuar për kryeministre, e mbështesim arritjen e një marrëveshje. Ne kemi vullnet politik, kemi dëshirë politike dhe angazhim politik të sinqertë, kështu që unë do të apeloja që të jenë të përmbajtur nga deklarimet e tilla edhe nga tabori i LDK-së, edhe nga tabori i Vetëvendosjes, sepse ky është një proces që liderët po e dërgojnë drejt zgjidhjes më të mirë për qytetarët. Sa i përket nominimit të Vjosës për kryeministre, LDK ka besim të plotë, kapaciteti politik dhe profesional i Vjosës është përtej çdo hezitimi që dikush mund të ketë në kampin e  Vetëvendosjes”, tha ai.

Nënkryetari i parë i LDK-së ka deklaruar se me Lëvizjen Vetëvendosje po punojnë për një fitore të madhe me partnerë.

Haziri: Po punojmë me Vetëvendosjen ta bëjmë fitoren e madhe

“Po punojmë të shkojmë bashkë. Po e mbajmë në opsionin  e parë. Jemi duke punuar të shkojmë bashkë, nuk ka diçka tjetër. LDK është e gatshme t’i fitojë zgjedhjet  e vetme, por dëshiron ta bëjë fitoren e madhe përtej LDK-së me partnerë dhe popullin e saj” ,theksoi Haziri.

E pyetur se a do vendoset emri i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu ndër emrat e parë në listën e deputetëve, Vjosa Osmani tha se ende nuk i kanë hapur këto lista, por që sipas tij Sejdiu gjithnjë do ta ketë vendin e merituar në LDK.

Sot po ashtu është mbajtur edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili me vota unanime ka vendosur që e nominuar nga radhët e kësaj partie për postin e kryeministres së ardhshme të jetë Vjosa Osmani.

Gjatë ditës së sotme, përveç këtij takimi, është zhvilluar edhe një takim ndaras me kryetarët e degëve të LDK-së dhe kryesinë ku kanë diskutuar lidhur me koalicionet e mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

Po ashtu, në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së Vjosa Osmani mori besimin edhe për nënkryetare të LDK-së, derisa sekretar për buxhet, financa e ekonomi u zgjodh Lutfi Zharku.

Ka përfunduar takimi i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku me vota unanime është përkrahur kandidatura e Vjosa Osmanit për kryeministre të ardhshme të Kosovës.

Pas këtij takimi ka nisur një takim tjetër brenda këtij subjekti politik dhe aktualisht kryetari i LDK-së Isa Mustafa është takuar me degët e kësaj partie ku po diskutojnë lidhur me koalicionin e mundshëm parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në takim, po ashtu, janë të pranishëm edhe e kandiduara për kryeministre të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani,  Lutfi Haziri, Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe të tjerë.    

Ndryshe, dje LDK-ja ka vendosur që të nominojë Vjosa Osmanin si kandidate e kësaj partie për kryeministër të Kosovës për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen më 6 tetor.

Po dje, LDK ka pasur një takim me Vetëvendosjen për të diskutuar mundësinë e arritjes së një koalicioni parazgjedhor.

***

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës me vota unanime e ka përkrahur propozimin e Kryesisë së këtij subjekti politike që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre të ardhshme të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa teksa ka vlerësuar lartë kontributin e kundërkandidatit të Vjosa Osmanit, Lutfi Haziri tha se Kryesia ka vendosur që për kandidate nga LDK për kryeministre të Kosovës të jetë ish-deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani.

Mustafa: KP me vota unanime përkrahu Vjosa Osmanin për kandidat për kryeministre

"Këshilli i Përgjithshëm në mënyrë unanime pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime përkrahu propozimin e kryesisë Vjosa Osmanin për kandidat të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeministre e ardhshme e Republikës së Kosovës", tha ai.

Mustafa madje nga Këshilli i Përgjithshëm kërkoi përkrahjen maksimale për Vjosa Osmani si gjatë fushatës ashtu edhe siç tha ai si kryeministre e ardhshme e Kosovës.

Mustafa: Kërkoj që Vjosa Osmanin ta përkrahim edhe në fushatë dhe si kryeministre

"Kryesia si dhe kundër kandidati Lutfi Haziri e kanë vlerësuar të arsyeshme që kësaj radhe në mënyrë unanime pa asnjë kundër ta propozoj Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre të Kosovës. Meqenëse në kryesi kemi vendosur me vota unanime kjo duartrokitje dhe kjo përkrahje është unanime për Vjosa Osmanin për kryeministre. Iu falënderoj për besim dhe kërkoj që ta përkrahim edhe në fushatë dhe ta përkrahim edhe kur të vijë në pozitën e kryeministres ka mjaftë punë", tha ai.

Kujtojmë që dje me vota unanime Kryesia e LDK ka propozuar ish deputeten Vjosa Osmani si kandidate nga radhët e kësaj partie për kryeministre të Kosovës.

Kundërkandidat i Osmanit ishte Lutfi Haziri kryetari aktual i komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK -së i cili u ngarkua edhe si bartës i listës.

Pas vendosjes së kandidaturës për Vjosa Osmanin për kryeministre të Kosovës, mbrëmë janë takuar kryetari i LDK, Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e nënkryetarin Besnik Bislimi dhe Glauk Konjufcën, ku kanë diskutuar rreth koalicionit parazgjedhor të mundshëm në mes LDK-në dhe Lëvizjes Vetëvendosje. 

***

Me vota unanime është përkrahur kandidatura e Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, .

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se LDK-ja ka vlerësuar lartë kontributin e Lutfi Hazirit si dhe kontributin e Vjosa Osmanit.

"Kërkoj përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm për Vjosa Osmanin për kryeministre të Kosovës dhe kërkoj përkrahje maksimale gjatë fushatës", tha Mustafa.

Ndërsa takimi i Këshillit të Përgjithshëm i LDK-ë është duke vazhduar i mbyllur për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat