Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon më 30 gusht

Aktuale

Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon më 30 gusht

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 15:38
Komisioni Qendror Zgjedhor

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) sot ka miratuar buxhetin rreth 6 milionë euro për organizmin e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se kërkesën për mjete buxhetore prej 5 milionë e 698 mije e 486 euro për organizimin e zgjedhjeve, do ta dërgojnë sot në qeverinë e dorëhequr, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk ka para, nuk mund të vazhdohet puna e këtij institucioni.

Daka: Pa para nuk mund t’i përgatisim zgjedhjet

“Ne, si KQZ, do ta dërgojmë shkresën dhe kërkesën tonë buxhetore në institucionet relevante, pra në Qeverinë e Kosovës dhe presim që ky buxhet i kërkuar të alokohet në xhirollogarinë tonë, sepse ashtu siç u tha, ne jemi institucion, i cili organizon zgjedhje dhe këtë e bën vetëm atëherë kur të ketë para. Nëse nuk kemi para, ne i zhvillojmë procedurat deri aty ku kjo na mundësohet ligjërisht dhe pas kësaj, ne nuk mund të vazhdojmë”, deklaroi Daka.

Edhe Enis Halimi, kryeshef në KQZ shfaqi shqetësimin për mungesë të mjeteve, duke thënë se pa buxhet nuk mund të fillohet asnjë procedurë në përgatitjen e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Halimi: Ministria e Financave ende pa përgjigje për paratë që kërkojmë

“Ne nuk mund ta fillojmë asnjë procedurë. Është e kotë që të shpallen zgjedhjet dje, është kot ndoshta që të merret vendimi sot, derisa buxheti nuk bëhet i qasshëm, ju njoftoj se as edhe një procedurë e vetme nuk mund të fillojë nga ne dhe as që bëhet fjalë për t’u futur në marrëdhënie kontraktuale për të siguruar materiale zgjedhore për të cilat edhe ashtu e kemi kohën jashtëzakonisht të shkurt. Kemi vendosur kontakte me përfaqësues të Ministrisë së Financave, nuk kemi përgjigje se çka do të bëhet, për shkak se edhe ata e kanë të paqartë procesin se si do të rrjedhë”, theksoi  Halimi.

Ndërsa, anëtarët e KQZ-së, Sami Hamiti dhe Adnan Rrustemi theksuan se këso rrethanash ishin paraqitur edhe në vitin 2017, por qeveria në atë kohë për dy ditë pati dorëzuar mjetet në KQZ.

Sipas tyre, KQZ duhet ta orientojë vëmendjen dhe energjinë për përgatitje të mira të zgjedhjeve dhe kushdo që e zvarrit çështjen buxhetore do të mbajë përgjegjësi.

Hamiti: Këtë gjendje e kemi pasur edhe në 2017, paratë u alokuan për dy ditë

“Në zgjedhjet e jashtëzakonshme gjithmonë një qeveri që ka qenë në detyrë e bërë këtë, sepse mocionet e mos besimit janë bërë edhe më herët. Kështu që edhe në vitin 2017 është bërë mocioni i mosbesimit dhe qeveria ka qenë në detyrë, por kemi pritur dy ditë për buxhet. E dini shumë mirë, janë dorëzuar të premten, paratë i kemi marrë të hënën”, tha Hamiti.

Në këtë mbledhje janë caktuar edhe afatet e aktiviteteve zgjedhore, sipas të cilave fushata do të zgjasë dhjetë ditë, duke filluar nga 25 shtatori deri më 4 tetor.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka theksoi se është bërë një ndryshim për periudhën e fushatës së zgjedhjeve politike, që të jetë 10 ditë, edhe tek aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës të fillojë më 30 gusht.

Daka: Fushata zgjedhore fillon më 25 shtator, përfundon më 4 tetor

“Fushata zgjedhore fillon më 25 shtator, përfundon më 4 tetor. Këto janë ndryshimet. Afati për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 30 gusht përfundon më 10 shtator”, deklaroi Daka.

Ndërsa, afati i partive politike për koalicione parazgjedhore është 30 gushti deri në orën 24:00. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat