Haradinaj: Me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë

Aktuale

Haradinaj: Me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 17:31
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë sot se nuk ka asnjë logjikë që Kosova të lejojë Serbinë të kërkojë tokë shqiptare e ndryshim të kufijve.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për këtë ka folur në tubimin përkujtimor në 82-vjetorin e rënies së heroit Ramë Bllaca, prej ku ka thënë se do ta përcjellin amanetin e tij dhe me asnjë çmim nuk e lëshojnë tokën e Kosovës.

Haradinaj tha se nuk ka logjikë që dikush nga populli shqiptar të lejojë Serbinë të kërkojë tokë të shqiptarëve, në emër të çfarëdo lëvizje të kufijve.

Haradinaj: Shqiptarët, zot i shtëpisë së tyre

“Ndoshta, përpjekja e fundit e Serbisë për të na larguar prej trojeve tona dhe zhvendosja e rreth 1 milion njerëzve prej Kosovës, në luftën e drejtë për çlirim të udhëhequr nga UÇK-ja, që e përkrahi edhe bota e përparuar, ishte finalja e madhe e një padrejtësie që ka ushtruar Serbia ndaj nesh, e një drejte tonë që përfundimisht e përjetësisht për të mbetur zot në tokën tonë në Kosovë. Jam i bindur që ’99-ta e ka përmbyll përjetësisht të drejtën tonë të pjesshme të popullit të Kosovës të mbetet në trojet e veta, me qenë zot shtëpie, jam i bindur që e drejta e Zotit gjithë kohën ka me qenë me ata që padrejtësisht janë përndjek, prej Toplice e prej trojeve të atdheut tonë. Nuk është një e drejtë e humbur, por një e drejtë që duhet ta ruajmë në memorie, nëse dikush mundohet të ruajë në memorien e vet 1389-ën (Beteja e Kosovës), a ka logjikë që na me heq prej memories sonë faktin e drejtën se nga n jë Kosovë e sotme vetëm para 100 vjetësh janë përzënë prej shtëpive të veta, janë masakruar, përndjekur e torturuar. A ka logjikë dikush i kësaj toke, i këtij populli, të lejojë edhe njëherë Serbia të kërkojë tokë të shqiptarëve apo copëtimin e Kosovës, ose në emër të çfarëdo lëvizje të kufijve ne të japim për njohjen tonë. Deri kur?”, tha ai.

Në këtë tubim përkujtimor kryeministri në detyrë tha se ia kanë borxh heroit Ramë Bllaca që sot jetojmë në tokat shqiptare. Ai tha se porosinë e tij për atdhe do ta bartin brez pas brezi.

Haradinaj: Me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë

“Jemi borxh heroit tonë Ramë Bllacës, jemi borxh të gjithë atyre që edhe në kohëra të errëta e të vështira e kanë gjetur dritën dhe e kanë ditë të drejtën dhe e kanë marrë qëndrimin që e kanë marrë. U jemi mirënjohës përjetë për faktin që ne sot jemi në trojet tona. Ne e ndjejmë tragjedinë e Toplicës e qindra vendbanimeve shqiptare dhe e ndjejmë e përjetojmë e bartim brez pas brezi. Por po ashtu do ta bartim brez pas brezi porosinë e heronjve, porosinë e heroit tonë Ramë Bllaca që me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë, me asnjë çmim dhe askush nuk ka me mund të na ndajë prej tokës sonë”, tha ai.

Në këtë tubim, Ramush Haradinaj i cili nga moderatori u prezantua si kryeministër i vendit, kur mori fjalën e tij, tha se ai tani është ish-kryeministër.

Haradinaj: Nuk jam kryeministër, por...

“Jo për ta korrigjuar, por unë jam ish-kryeministër i Kosovës”, tha Haradinaj, para se të nisë fjalimin e tij për heroin Ramë Bllaca.

Për veprën e Ramë Bllacës foli edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Muharremaj: Ramë Bllaca e ndali shpërnguljen e shqiptarëve

“Ramë Bllaca e ndali shpërnguljen e shqiptarëve dhe për këtë ai do të ketë respektin kudo në të gjitha trojet shqiptare”, tha ai.

Në këtë tubim, Ramë Bllaca u përkujtua si kolos, atdhetar e trim besnik. Aty u tha se Ramë Bllaca veprimtarinë e tij ja kushtoi mbrojtjes së vendit dhe se aktet e tij burrërore do të përkujtohen gjithmonë nga shqiptarët.

Ndryshe, me këtë rast u zbulua pllaka përkujtimore kushtuar heroit Ramë Bllaca.

Haradinaj: S’ka logjikë që dikush të lejojë Serbinë të kërkojë tokë në Kosovë

Në Bllacë të Suharekës sot u mbajt tubim përkujtimor në 82-vjetorin e rënies së Ramë Bllacës dhe u zbulua pllaka përkujtimore kushtuar këtij heroi.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se me asnjë çmim nuk e lëshojnë tokën e Kosovës.

Gjatë fjalimit tij, ai tha se nuk ka asnjë logjikë që sot dikush të lejojë Serbinë të kërkojë tokë në Kosovë dhe lëvizje të kufijve.

“I jemi borxh heroit tonë Ramë Bllacës, gjithë atyre që edhe në kohëra të errëta e kanë gjetur dritën dhe e kanë ditë të drejtën. U jemi mirënjohës përjetë për faktin që sot jemi në trojet tona. Do ta bartim brez pas brezi porosinë e heroit që me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë. Ndoshta përpjekja e fundit e Serbisë për të na larguar prej trojeve tona ishte finalja e madhe e një padrejtësie që ka ushtruar Serbia ndaj nesh. Më 1999 është përmbyllur përjetësisht e drejta jonë për të qenë zot shtëpie, të mbetemi në trojet tona. Nuk është një e drejtë e humbur, por një e drejtë që duhet ta ruajmë në memorie. A ka logjikë dikush i kësaj toke ta lejojë edhe njëherë Serbinë të kërkojë tokë shqiptare, deri kur?”, tha Haradinaj.

Në këtë tubim, Ramush Haradinaj i cili nga moderatori u prezantua si kryeministër i vendit, kur mori fjalën e tij, tha se ai tani është ish-kryeministër.

“Jo, për ta korrigjuar, por unë jam ish-kryeministër i Kosovës”, tha Haradinaj, para se të nisë fjalimin për heroin Ramë Bllaca.

E kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se Ramë Bllaca e ndali shpërnguljen e shqiptarëve dhe për këtë ai do të ketë respektin e shqiptarëve kudo.

Në këtë tubim, Ramë Bllaca u përkujtua si kolos, atdhetar e trim besnik. Aty u tha se Ramë Bllaca veprimtarinë e tij ia kushtoi mbrojtjes së vendit dhe se aktet e tij burrërore do të përkujtohen gjithmonë nga shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat