Ahmeti tregon emrat që do të jenë në listën AAK-PSD, nuk përmend Fisnik Ismailin e Frashër Krasniqin

Aktuale

Ahmeti tregon emrat që do të jenë në listën AAK-PSD, nuk përmend Fisnik Ismailin e Frashër Krasniqin

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 21:46
Shpend Ahmeti

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka përmendur emrat e 10 deputetëve aktual të PSD-së që do të jenë kandidatë edhe për legjislaturën e ardhshme. Nuk ka përmendur emrat e Fisnik Ismailit dhe Frashër Krasniqit  si kandidatë të mundshëm për deputetë edhe pse ka thënë se u ka propozuar të gjithëve të garojnë në zgjedhje.

Ahmeti, në “Debat Plus”, ka thënë se PSD do ta ketë një grup parlamentar edhe në legjislaturën e ardhshme por sipas tij ky nuk është synim i partisë.

“S’ka kuptim që të futemi në koalicion parazgjedhor me synimin që menjëherë pas zgjedhjeve t’i ndajmë rrugët. Jam i bindur se mund ta kemi një grup parlamentar për shkak të listës cilësore që do ta ofrojmë. Ne kemi kandidatë si Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Faton Topalli, Sali Salihu, Besa Baftiu, Aida Dërguti. Të gjithë këta janë deputetë që nuk kanë qëndruar kot në Kuvend”.

Kryetari i PSD-së ka thënë se brenda javës së ardhshme PSD do të prezantojë edhe aderime të reja të disa kandidatëve që kanë qenë në politikë e disa tjerëve që nuk kanë qenë të përfshirë në politikë, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se me përjashtim të një apo dy deputetëve aktual, tjerët do të jenë në listën e PSD-AAK, ku PSD do të ketë 25 vende.

“Unë si kryetar i PSD-së kam kërkuar nga të gjithë deputetët aktual të jenë kandidatë për deputetë, por tash varet nga dëshira e secilit. Për momentin nuk kemi raste të tilla por nuk do të isha i çuditur nëse dikush nuk do të dëshironte të kandidojë dhe të thotë “mjaft kam qenë kështu dhe po i lë vendin dikujt”.

Ahmeti tha se është i sigurt se partia e tij do të jetë në qeverisjen e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat