Idriz Idrizi nga Prekazi është i zhdukuri i parë i luftës në Kosovë, kush ishte ai?

Aktuale

Idriz Idrizi nga Prekazi është i zhdukuri i parë i luftës në Kosovë, kush ishte ai?

Nga: N.Sh Më: 30 gusht 2019 Në ora: 10:42
Memoriali i familjes Jashari, Prekaz

Idriz Idrizi nga Prekazi i Skenderajt, është shqiptari i zhdukur i parë i kohës së luftës në Kosovë.

Idrizi, i cili ka qenë mirëmbajtës i objektit të shkollës fillore në Prekaz, është zhdukur pa gjurmë nga policia gjenocidiale serbe.

Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, profesori i filozofisë, Blerim Latifi i cili vjen po ashtu nga fshati Prekaz, ka përkujtuar Idrizin.

“Në mëngjesin e hershëm të 23 janarit 1998, derisa po kalonte pranë Fabrikës së Municionit, ku prej nëntorit të vitit 1997 ishin vendosur njësitë speciale të policisë serbe, ai u rrëmbye dhe nga ajo ditë askush nuk mori vesh asgjë për fatin e tij. Idrizi nuk ishte në UÇK”, shkruan Latifi në rrjetin social Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.

Më poshtë, lexojeni shkrimin e plotë:

I zhdukuri i parë i Luftës në Kosovë

Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, kam zgjedhur të përkujtoj të zhdukurin e parë të Luftës në Kosovë, Idriz Idrizin nga Prekazi. Ka qenë mirëmbajtës i objektit të shkollës fillore të Prekazit. Me pagën e vogël që merrte mezi e mbante familjen e tij, por varfëria ekstreme asnjëherë nuk ia kishte cenuar mirësjelljen dhe urtësinë që kishte. Ekziston një frazë popullore e cila i përshkruan më se miri njerëzit si ai : As mizën nuk e shkelte!

Në mëngjesin e hershëm të 23 janarit 1998, derisa po kalonte pranë Fabrikës së Municionit, ku prej nëntorit të vitit 1997 ishin vendosur njësitë speciale të policisë serbe, ai u rrëmbye dhe nga ajo ditë askush nuk mori vesh asgjë për fatin e tij. Idrizi nuk ishte në UÇK. Askujt, asnjëherë, nuk i hyri në hak për asgjë. I vetmi “faj” i tij ishte të qenit shqiptar dhe banor i Prekazit, ku prej kohësh po ziente kryengritja kundër shtypjes serbe. Sot, në vendin ku u rrëmbye Idrizi, është ndërtuar një fushë moderne sportive, ndërsa Fabrika e Municionit, me pyllin e saj të dendur, qëndron e heshtur, pa qenë në gjendje të rrëfej për krimet makabre që policia serbe bëri aty gjatë gjithë luftës. Ky objekt duhet të ruhet në gjendjen e tij të luftës, si një memorial i këtyre krimeve dhe njëkohësisht përkujtues për gjeneratat e ardhshme se sa e rëndë ishte rruga e lirisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat