I dërguari i Merkelit viziton Prishtinën e Beogradin javën e ardhshme

Aktuale

I dërguari i Merkelit viziton Prishtinën e Beogradin javën e ardhshme

Më: 30 gusht 2019 Në ora: 14:19
Angela Merkel dhe Peter Beyer

Deputeti i Bundestagut gjerman që është pjesë e koalicionit të partisë së kancelares Angela Merkel dhe CSU-së, Peter Beyer, do të vizitojë Beogradin në fillim të javës së ardhshme.

Ai të hënën do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, ministren për Integrime Evropiane dhe drejtorin e të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Megjithatë siç raporton ‘tanjug’, një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Vazhdimi i dialogut për normalizim të raporteve Prishtinë-Beograd dhe situata aktuale politike pritet të jenë temat e diskutimit.

Pas Beogradit,  deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, do të vizitojë edhe Prishtinën.

Beyer së bashku me deputetin tjetër gjerman, Christian Schmidt, kishin takuar kryeminsitrin tashmë të dorëhequr, Ramush Haradinajn, në prill të këtij viti.

Ata kishin përsëritur qëndrimin e Gjermanisë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve ndemjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bundestagu gjerman është kundër shkëmbimit të territoreve”, kishte deklaruar Beyer më 1 prill gjatë qëndrimit në Prishtinë.

Kohëve të fundit është rritur presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’u rikthyer në tavolinën  bisedimeve.

Fillimisht ka qenë Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili i kishte thënë Vuçiqit që duhet kthyer sa më parë në dialogun për normalizim të raporteve që do të përfundonte me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë edhe nga kancelarja Merkel thuhet se ka pasur presion në drejtim të Serbisë për rikthim në tryezën e bisedimeve.

Reagim ka pasur edhe nga vendet e QUNIT-it, të cilat kanë kërkuar që Kosova të heq taksën dhe Serbia të ndalë fushatën e egër kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kjo vizitë e Bayer vjen në këtë kohë kur në Kosovë po bëhen përgatitje për zgjedhje të parakohshme të cilat do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Ish-kryeministri Haradinaj mbetet e i vendosur që taksa duhet të hiqet vetëm në rast të arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi për njohje reciproke, ndërkohë edhe partitë tjera nuk preferojnë që të hiqet taksa menjëherë. Propozojnë reciprocitetin si masë zëvendësuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat