Lutfi Haziri: E kemi ditur më herët për ofertën e Vetëvendosjes, nuk e di pse e kanë bërë publike

Aktuale

Lutfi Haziri: E kemi ditur më herët për ofertën e Vetëvendosjes, nuk e di pse e kanë bërë publike

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 18:19
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ftuar në emisionin Frontal të televizionit T7, ka deklaruar se partia e tij ka qenë në dijeni më herët për ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje, por që sipas tij nuk është e qartë pse LVV’ja e bëri publike.

“Komunikimi jonë ka qenë në nivel korrekt. E kemi ditur për ofertën edhe më herët” deklaroi Haziri.

Pori  pyetur se pse Vetëvendosja vendosi që ta bëjë publike ofertën e tyre, ai tha se kjo mbetet çështje e brendshme e LVV’së por LDK’së nuk i ka mbetur hatri.

“Kjo është politikë e tyre për të vepruar kështu. E kanë bërë veprimin e vet, ne nuk kemi hatër mbetje dhe jemi përgjigjur menjëherë pas disa minutave dhe publikisht e kemi sqaruar pozicionin tonë” tha nënkryetari i LDK’së.

Por gjithsesi, Haziri tha se kjo nuk nënkupton që LDK nuk e ka pranuar ofertën, por që oferta e tyre ka qenë politikisht e favorshme vetëm për LVV’në.

“Nuk është mospranim, është përfundim i bisedimeve” tha Haziri, duke shtuar se “Kërkesa e tyre ishte politikisht e favorshme për LVV’në dhe politikisht e pafavorshme për LDK’në”.

Ai shtoi se LDK ka gjetur kandidatin e duhur dhe se ky kandidat ishte i përshtatshëm si për LDK’në ashtu edhe për partitë e tjera dhe tregoi se renditja në listë nuk ka rëndësi të madhe.

“Me nominimin i cili mbart politikat e përbashkëta, kemi gjetur njeriun e qëlluar për LDK’në dhe njeriun e pranuar për të tjerët” tha Haziri, duke shtuar se “Vjosa ka qenë numër 81 në listë dhe ka dalë deputetja më votuar, numri 1 dhe 2 nuk janë udhëzim për nominim”.

Në fund Haziri tha se mes tij dhe Vjosa Osmanit nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë asnjëherë rivalitet.

Lidhja Demokratike e Kosovës e kandidoi Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre të vendit. Ky subjekt politik ishte në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje por që nuk arritën koalicion parazgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje i kishte bërë ofertë publike LDK’së për të hyrë në një listë të përbashkët por pa një kandidat për kryeministër. E personi që ka numrin më të madh të kandidatëve, do të ishte edhe kryeministër. Këtë ofertë e kishte refuzuar LDK’ja me arsyetimin se kjo do të krijonte garë të brendshme e jo garë ndaj PAN’it. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat