Këto janë masat që Kosova ka ndërmarrë ndaj përzierjes së Serbisë në procesin zgjedhor

Aktuale

Këto janë masat që Kosova ka ndërmarrë ndaj përzierjes së Serbisë në procesin zgjedhor

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 07:27
Ilustrim

Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë përfaqësues shtetërorë të cilitdo shtet tjetër, që të vijë në Kosovë dhe të bëjë fushatë, në kohën kur vendi është në procesin zgjedhor, kanë deklaruar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në dorëheqje.

Këto reagime të zyrtarëve në Prishtinë vijnë pas paralajmërimeve të autoriteteve të caktuara të Beogradit se do ta vizitojnë Kosovën, në kohën kur kjo e fundit po shkon drejt mbajtjes së zgjedhjeve më 6 tetor të këtij viti.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në dorëheqje të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë, që institucionet e vendit nuk do të japin leje për hyrje në Kosovë për asnjë përfaqësues të vendeve tjera, e në veçanti të zyrtarëve të Serbisë, që synojnë të organizojnë fushatë në Kosovë.

“Absolutisht, asnjë përfaqësues shtetëror i cilitdo shtet tjetër, nuk mund të vijë dhe të bëjë fushatë këtu. Kjo është periudhë jashtëzakonisht e ndjeshme. Në këtë rast, paralajmërimet e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë se do të vijnë në Kosovë dhe të zhvillojnë fushatë zgjedhore, janë të pakuptueshme. Në fakt, janë të kuptueshme për ne, sepse ata e kanë tendencën e vazhdueshme tensionimin e situatës, krijimin e tensioneve të brendshme këtu. Por, institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjëherë që procesi zgjedhor të dëmtohet”, tha Zyberaj.​

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat