“PDK-ja ka vendosur seriozisht ta luftojë korrupsionin” – Ismaili i përgjigjet kritikëve

Aktuale

“PDK-ja ka vendosur seriozisht ta luftojë korrupsionin” – Ismaili i përgjigjet kritikëve

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 16:35
Kadri Veseli dhe Uran Ismaili

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Prishtinë, Uran Ismaili, njëherëshit edhe Ministër i Shëndetësisë në largim, ka reaguar ndaj kritikave për “Paktin Kundër Korrupsionit”, të iniciuar, nga kryetari i tij, Kadri Veseli.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ismaili ka shkruar se korrupsioni është kudondodhur, mirëpo që PDK ka vendosur ta luftojë seriozisht.

“Të gjithë e pranojmë se korrupsioni është i kudondodhur, por deri më tani vetëm PDK-ja ka vendosur që seriozisht ta luftojë atë. Lufta kundër korrupsionit tejkalon pazaret për koalicione dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm nga të gjitha partitë, figurat politike dhe shoqëria civile”, ka shkruar Ismaili.

Tutje Ismaili ka thënë se “Duke e nënshkruar këtë pakt dhe duke ofruar lista të kandidatëve të pastër e pa aktakuza për deputetë Kosova do të krijonte një front kombëtar që do ta mposhtte korrupsionin e nepotizmin”.

Ndër tjera, Ismaili ka ftuar të gjithë që t’i bashkohen paktit të tyre dhe mos ta fajësojnë njëri – tjetrin.

“Në vend të fajësimit të njëri-tjetrit, ne i ftojmë të gjithë që të mbështesim njëri-tjetrin në luftën për të ardhmen e vendit. Korrupsioni është kundër nesh, por pyetja është: “A jemi ne kundër tij?!” Refuzimi i këtij pakti nuk është përgjigja që qytetarët duan të dëgjojnë sepse është jo vetëm dorëzim përballë korrupsionit, por edhe mbështetje për rritjen e tij”, ka shkruar Ismaili. /Insajderi.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat