Rugova: Veseli po bën hajgare me popullin, është i fundit që mund të flasë kundër korrupsionit

Aktuale

Rugova: Veseli po bën hajgare me popullin, është i fundit që mund të flasë kundër korrupsionit

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 17:50
Naser Rugova, ish-deputet i LDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot në një konferencë për media, ka publikuar Paktin Kundër Korrupsionit me dhjetë pika, përmes të cilit thotë se do ta luftojë korrupsionin.

Ai i ka ftuar edhe liderët e partive të tjera që ta nënshkruajnë këtë pakt, në mënyrë që ky pakt të mos mbetet vetëm në letër, pasi sipas tij asnjë parti nuk është e pastër.

“Asnjë parti në Kosovë nuk është e pastër nga gabimet dhe nuk mendoj se publiku pret që ne të bëjmë një lojë fajësie. Publiku pret që ne të bëjmë ndryshime dhe të krijojmë një realitet të ri dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë. Javët e fundit kam folur për luftën kundër korrupsionit, listën e pastër që do të përfaqësojmë dhe qeverinë e ardhshme që unë do të drejtoj. Listë pa aktakuza dhe qeveri pa aktakuza. Unë gjithashtu kam marrë disa vendime të brendshme lidhur me partinë time, siç është vendimi për të larguar nga postet zyrtare të gjithë personat që kanë patur aktakuza për nepotizëm dhe korrupsion”, tha Veseli.

Media ka kontaktuar me ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugovën, për të kuptuar nëse partia e tij do t’i përgjigjet kreut të PDK-së, për nënshkrimin e këtij pakti.

Rugova thirrjen e Veselit e quajti shaka të hidhur dhe tha se kreu i PDK-së është personi i fundit që duhet të flasë për luftën kundër korrupsionit.

“Kjo është një shaka e hidhur e radhës e Kryetarit të PDK-së dhe partisë së tij me popullin e Kosovës. Është fyerje e inteligjencës për çdo qytetar. Kadri Veseli ështe njeriu i fundit që duhet të flasë për luftën kundër korrupsionit, duke e ditur ‘backgroundin’ e tij dhe duke e ditur që partia që ai udhëheq e ka rrëzuar përtokë këtë vend dhe imazhin e këtij vendi. Prandaj është edhe një humor i zi me këtë vend, me këtë popull duke e parë se nuk janë askund dhe janë në panik të madh dhe askush nuk don as të bisedojë me ta, kanë mbetur të vetëm në panikun e humbjes së pushtetit dhe privilegjeve”, tha Naser Rugova.

Ish-deputeti tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është e zënë me punë dhe nuk do as nuk ka kohë të mirret me Kadri Veselin.

“Del tani kjo teori qesharake, që thjesht është edhe një tendencë për manipulimin e opinionit, një tendecë tjetër e Kadri Veselit. Ata kanë dështu, ata do të ndëshkohen nga qytetari i Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka punë tjera, ka angazhime tjera, është duke punuar fuqishëm që t’ia kthej dinjitetin dhe shpresën këtij vendi dhe as që duam dhe as nuk kemi kohë të mirremi me Kadri Veselin”, ka përfunduar Rugova.

Kreu i PDK-së më 19 qershor të këtij viti kishte liruar nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore – si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit”, kishte thënë ai.

Sipas tij, qytetarët janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete.

“Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë. Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës. Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment. Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë”, kishte thënë tutje ai.

Vendimin për largimin e këtyre zyrtarëve Kadri Veseli e kishte paralajmëruar më 17 qershor, në Konventën festive të Partisë Demokratike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat