Beyer: Qeveria e re t’i rikthehet pa kushte dialogut

Aktuale

Beyer: Qeveria e re t’i rikthehet pa kushte dialogut

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 19:16
Peter Beyer

Deputeti i Bundestagut gjerman Peter Beyer (CDU) ka deklaruar se shteti gjerman është kundër idesë së ndryshimit të kufijve, derisa ka bërë thirrje që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë të rifillojë. Beyer ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku ka thënë se ndoshta një gjë e tillë do të ndodhë për Krishtlindje.

Ai këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj, ndërsa iu ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Bayer: Kosova t’i ruajë kufijtë ekzistues

“Temat kanë mbetur të njëjta pas gjendjes që e kemi, temat janë të përgjithshme, integriteti territorial i Kosovës edhe për këtë kemi biseduar, qëndrimi jonë është që Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që i ka, kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ne, gjithashtu, kemi biseduar për miqësinë mes dy shteteve tona, se Gjermania ka qenë një prej shteteve të para që në atë kohë e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Këtë e kemi bërë nga bindja jonë dhe këtë qëndrim e mbajmë edhe më tej, dhe është vërtet dëm që jo të gjitha shtetet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, andaj i ftoj të gjitha shtetet e BE-së, posaçërisht ato të 5-at ta bëjnë të njëjtën si ne. Sigurisht që biseduam që Kosova gjendet para zgjedhjeve dhe është vërtet një afat shumë i shkurtër zgjedhore, është faza e ngrohtë prej 10 ditësh. Kështu që i kanë vetëm pak ditë që të përfitojnë besimin e qytetarëve, ftoj për një proces fer zgjedhor, është me rëndësi për të ardhmen e vendit”, tha ai.

Ai po ashtu tha se kanë biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se ai duhet të rifillojë. Beyer u shpreh se qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve, duhet të hyjë në proces të dialogut, pa kushte.

Beyer: Kam bërë ftesë në Beograd për të rifilluar dialogu

“Gjithashtu kemi biseduar nëse guxoj të them në këtë rast, sepse vetëm sa erdha nga Beogradi, dje isha në Beograd ku u takova me shumë përfaqësues politikë dhe për këtë kam bërë ftesë në Beograd për të rifilluar dialogu apo rikthyer dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo është shumë më rëndësi. Guxoj gjithashtu të them se ne duhet të mendojmë apo qeveria e re që do të krijohet pas zgjedhjeve të hyjë përsëri në proces pa kushte nga të dyja palët. E di që është e vështirë, mirëpo edhe nga pikëpamja jonë dhe nga partia e kancelares duhet të jetë ashtu. Si vërejtje e fundit nga ana ime, përndryshe jam i lumtur që kancelarja Angela Merkel në Hungari e ka bërë të qartë që BE nuk ka të ardhme pa integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe këtë porosi nuk mund ta dëgjoj shpesh sa duhet dhe të gjitha këto duhet të zbatohen, këto porosi dhe dëshira”, tha ai.

I pyetur se sa është Gjermania në mbështetje për liberalizimin e vizave, deputeti gjerman tha se nuk do të japë një datë, por tha se kjo mund të ndodhë para Krishtlindjeve.

Beyer: Liberalizimi ndoshta për Kërshëndella

“Gjermania është vërtet një shtet i sinqertë, mbështetës për integrimin e Kosovës në BE, po ashtu edhe për liberalizimin e vizave. E di që shpesh është dukur ashtu apo duket që ka pasur premtime, që ka pasur edhe data, një datë nuk e kemi cekur kurrë nga ana jonë. Ne gjithmonë i jemi drejtuar procesit, sepse ne jemi vetëm një shtet dhe nëse nga pikëpamja jonë ju të gjitha detyrat i kryeni, megjithatë ka shumë shtete të tjera cilët duhet të pajtohen me këtë proces. Në të gjitha bisedat dhe fjalimet e mia ftoj për liberalizim të vizave dhe vërtet nuk është e drejtë dhe është jo fer që Kosova është i vetëm  shtet që nuk ka liberalizim të vizave. Ne do të kemi takime të tjera të grupeve punuese më 2 shtator, do të punojmë në këtë drejtim dhe nëse guxoj ta them z. kryeministër Ramush ju keni pasur dëshirë pak më herët që para Kërshëndellave të ndodhë kjo. Unë nuk do të jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë si shpërblim për Kërshëndella”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj tha se e ka njoftuar deputetin Beyer për të gjitha zhvillimet, ndërsa ka thënë se e ka lutur që të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe rajonin.

Haradinaj: E luta Beyer të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

“E shfrytëzova mundësinë që në këtë bisedë t’i jap shpjegimet e mia për gjendjen në Kosovë pas dorëheqjes së Qeverisë, vendi shkon në zgjedhje. Pra, tregova se jam mjaft i kënaqur për pjekurinë e demokracisë sonë si kanë shkuar të gjitha këto procese. Njëkohësisht ne menjëherë pas zgjedhjeve shpresojmë si Kosovë, ata që e marrin besimin jo vetëm t’i ndërtojnë me shpejtësi institucionet e Kosovës, qeverinë e re, por edhe të rikthejmë dinamikën e agjendës evropiane për Kosovën, marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Gjermani. E luta Beyer që të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe rajonin ashtu sikurse edhe është deklaruar edhe kancelarja në procesin e Berlinit, sepse Kosova e ka në synim anëtarësimin në BE, në ndërkohë e kemi temën që qytetarët e Kosovës janë mjaft të interesuar, por ende nuk kemi një datë ose një kohë precize për liberalizim të vizave”, tha Haradinaj.

Ai ka falënderuar Gjermaninë për qëndrimin e shprehur kundër ndryshimit të kufijve.

Haradinaj: E kanë shpëtuar Ballkanin nga një jostabilitet serioz

“Për një qëndrim të qartë dhe shumë mbështetës për Kosovën dhe integritetin territorial, kufijtë, pra dhe mos lejimin e lëvizjes së kufijve në Ballkan nga Gjermania, nga Berlini zyrtar, nga kancelarja Merkel. Mirëpo, edhe nga të gjithë CDU dhe kolegët që na kanë përkrahur në vazhdimësi në këtë temë. Mendoj se me këtë e kanë shpëtuar Ballkanin nga një jo stabilitet serioz dhe jam jashtëzakonisht falënderues”, tha ai.

Haradinaj është pyetur edhe rreth asaj se më herët Beyer i ka ofruar mbështetje kandidates së LDK-së për kryeministre, duke thënë se ato janë parti simotra dhe nuk e marrin si diçka negative. 

Haradinaj: Është praktikë të përkrahin partitë simotra, nuk e marr diçka negative

“Mendoj se është praktikë tash e njohur se asociacionet e partive politike përkrahin kandidatët e partive simotra. Edhe kjo është në atë frymë dhe ne nuk e keqkuptojmë këtë, edhe unë e kam mik dhe i njoh shumë të tjerë po nuk e marrim si diçka negative”, tha ai.

Edhe deputeti Peter Bayer  tha se edhe me Haradinaj kanë marrëdhënie të mira.

Bayer: E konsiderojmë LDK si parti simotër

"Ne jemi në kuadër të partive popullore në Evropë dhe e konsiderojmë LDK si parti simotër, andaj e ndajë mendimin siç tha kryeministri, është vërtet një konkurrencë sportive politike. Ne bashkëpunojmë shumë ngushtë, kemi shumë biseda, njihemi për vite me radhë. Mund ta them kur kemi pasur herën e parë zgjedhjet jemi takuar në vitin 2009 në Berlin dhe kam përshtypje shumë të mirë, kështu që gjithçka mes nesh është në rregull”, tha ai.

Deputeti Beyer gjatë ditës ka zhvilluar edhe një takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat