Anëtari i LDK-së largohet nga KQZ-ja, ia mësynë postit të deputetit

Aktuale

Anëtari i LDK-së largohet nga KQZ-ja, ia mësynë postit të deputetit

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 11:51
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe zyrtarisht ka mbetur pa një anëtar të njërës prej partive më të mëdha të vendit.

Florian Dushi, ish- anëtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë dorëheqje nga KQZ. E gjithë kjo sipas Dushit, është bërë pasi ai është zgjedhur anëtar në Kryesinë Qendrore të LDK-së.

Përveç kësaj, thotë Dushi se edhe kandidimi i tij për deputet nga LDK, ka qenë njëra prej arsyeve se përse ai është larguar nga KQZ’ja.

Dushi ka shtuar se LDK menjëherë do t’ia përcjellë presidentit, Hashim Thaçi edhe kërkesën për zëvendësimin e tij nga LDK.

“Jam zgjedhur anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe synoj me qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputet të LDK-së. LDK pritet që menjëherë këto ditë t’ia përcjellë presidentit kërkesën për zëvendësim me emrin e të nominuarit të saj”, tha Dushi .

Florian Dushi më 23 gusht të këtij viti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është zgjedhur si anëtar i Kryesisë.

Ai është zgjedhur edhe kryetar i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat