Në zgjedhjet e 6 tetorit të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 972 votues

Aktuale

Në zgjedhjet e 6 tetorit të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 972 votues

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 16:24
Ilustrim

(E plotësuar) - Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor, të drejtë vote kanë 1.972. 466 votues. Nga lista votuese janë larguar 33.791 emra pasi që kanë vdekur ose kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv  i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Enis Halimi, tha se krahasuar me listën përfundimtare të votuesve në zgjedhjet lokale  2017, në listën votuese preliminare për zgjedhjet  e 6 tetor janë mbi 81 mijë votues më shumë.

Halimi: Lista preliminare e votuesve përmban 1 milion e 972 mijë e 466 emra të votuesve

“Sa i takon listës preliminare votuese, ne kemi marrë ekstraktin e parë nga regjistri civil me të dhënat e shtetasve 18-vjeçar, duke përfshirë edhe ata shtetas që deri më datën 6 tetor do ta arrijnë këtë moshë. Lista preliminare e votuesve përmban 1 milion e 972 mijë e 466 emra të votuesve. Krahasuar me listën përfundimtare të zgjedhjeve lokale 22 tetor 2017, lista preliminare për këto zgjedhje përmban 115 mijë emra më shumë në numër krahasuar me zgjedhjet e kaluara 2017...33 mijë e 791 janë larguar qoftë si të vdekur apo votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Lista preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e 6 tetorit 2019 përmban 81 mijë e 514 votues më shumë krahasuar me listën përfundimtare të zgjedhjeve 22 tetor 2017”, tha ai.

Halimi tha se që nga 30 gushti kur edhe ka nisur aplikimi për regjistrim për votuesit jashtë vendit, deri tani kanë pranuar 4.977 aplikacione të cilat janë në fazën e vlerësimit.

Drejtori ekzekutiv për regjistrim të partive politike, Yll Buleshkaj tha se deri më tani asnjë subjekt politik apo kandidat i pavarur nuk ka aplikuar për certifikim.

Buleshkaj: Asnjë subjekt politik apo kandidat i pavarur s’ka aplikuar për certifikim

“Jemi në periudhën kur është koha për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre dhe kjo periudhë është deri të premten në mesnatë. Deri më tani nuk ka aplikuar ndonjë subjekt politik apo kandidat i pavarur. Në të njëjtën kohë është edhe periudha për aplikim të akreditim të vëzhguesve, ku deri më tani e kemi pasur interesin e vetëm një OJQ-je, e cila ka sjell një listë prej 116 kandidatëve”, tha Buleshkaj.

Me 6 vota pro, 3 kundër në këtë mbledhje të KQZ-së u miratua edhe propozimin për anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore sipas komunës përkatëse me 6 vota pro dhe 3 kundër.

Adnan Rrustemi anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se e kundërshton propozimin për anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore sipas komunave pasi sipas tij, formula për këtë përbërje është në kundërshtim me ligjin për zgjedhje.

Rrustemi: Formula për përbërjen e KKZ në kundërshtim me ligjin e zgjedhjeve

“Në përmbajtje unë konsideroj se formula që është ndjekur për përbërjen e KKZ-ve bie në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet, respektivisht me nenin 67. Çështja është se përbërja duhet të ishte e atillë që do të reflektonte subjektet politike që kanë dalë prej zgjedhjeve të fundit parlamentare 2017 ashtu siç thotë edhe neni 67, pika, neni, paragrafi b, kjo tabelë nuk e referon një gjë të tillë janë përfshirë edhe subjektet tjera politike, të cilat kanë qenë pjesë e koalicioneve apo listave të njëjta në zgjedhjet e fundit e kuptoj që në raste specifike e rrethana të veçanta mund të ketë përjashtime, por rregulli do të duhej të ishte që të ketë përbërje të tillë“, u shpreh Rrustemi.

I pajtimit me Rrustemin ishte edhe Sami Hamiti anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, i cili votoi kundër këtij propozimi.

Hamiti: Nuk kemi gjetur dakordim për formulën e përfaqësimit të KKZ-ve

“Jemi munduar që të kemi një pajtim të plotë në mes anëtarëve që i kemi këtu dhe përfaqësojnë subjektet politike. Duhet të themi se nuk kemi pasur pajtim në kuptimin e formulës, specifikisht ligjin e përcakton që subjektet që kanë dalë nga zgjedhjet nacionale të vitit 2017, që i përkasin shumicës dhe që e kalojnë pragun që janë tri subjekte që kanë të drejtë të përfaqësohen pa pasur absolutisht asnjë të keqe në këtë ndaj asnjë subjekti politik, por ligji e përcakton saktë “, tha ai.

KQZ ka miratuar gjithashtu edhe planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme, dhe ka shfuqizuar masën e  pezullimit për partinë politike Partia Kosovskih Srba-PKS, pasi ajo ka kryer obligimet ndaj KQZ-së.

KQZ: Afro 40 mijë emra janë larguar nga lista votuese

Në mbledhjen e radhës të Komisionit Qendror Zgjedhor është bërë e ditur se lista preliminare e votuesve në Kosovë është 1 972 466 votues.

33 791 emra të votuesve janë larguar nga lista votuese si të vdekur ose si votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Enis Halimi kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së tha se sipas listës preliminare të votuesve, Kosova ka 1 972 466 votues.

Ndërsa 33 791 emra të votuesve janë larguar nga lista votuese si të vdekur ose si votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Ai tha se që nga 30 gushti kur edhe ka nisur aplikimi për regjistrim për votuesit jashtë vendit deri tani kanë pranuar 4977 aplikacione.

Ndërsa, Yll Buleshku drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike tha se deri në këtë periudhë nuk ka kandiduar për certifikim asnjë subjekt politik dhe as ndonjë kandidat i pavarur.

Gjatë kësaj mbledhje u miratua edhe  Plani Operacione të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2019 si dhe propozimi për anëtarët e Komisioneve Komunale zgjedhore sipas komunave përkatëse, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat