Familja e Vjosa Osmanit flet rreth videos së shpërndarë nga PDK-ja

Aktuale

Familja e Vjosa Osmanit flet rreth videos së shpërndarë nga PDK-ja

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 12:46
Vjosa Osmani me bashkshortin e saj

Familja e Vjosa Osmanit, në një deklaratë, ka konfirmuar që nuk ka asnjë lidhje familjare me personin e quajtur Krenar Jahiu, e për të cilin në videon e shpërndarë nga faqja e Partisë Demokratike të Kosovës pretendohet se ka qenë “ushtar i Sllobodan Millosheviqit”.

Familja e kandidates për kryeministre nga radhët e LDK-së thotë që nuk e njeh fare as kush është personi i përfolur në video, për të cilin gjithashtu nga faqet që e kanë shpërndarë videon pretendohet se Krenar Jahiu është kushëriri i burrit të Vjosa Osmanit.

Media pak më parë ka raportuar për videon që ka shpërndarë një faqe e PDK-së në Facebook, e emëruar me emrin “Rinia Demokratike e Kosovës”, e cila mund të vërë në rrezik jetën e Vjosa Osmanit.

Në video krahas fotos për të cilën kjo faqe pretendon se është origjinale e në të cilën pretendohet se shihet edhe personi i quajtur Krenar Jahiu, është bashkëngjitur edhe fotografia e Vjosa Osmanit bashkë me burrin e saj, Prindon Sadriu.

Në fund të videos lihet madje edhe një mesazh në gjuhën angleze “We will find you where you are” apo përkthyer në shqip “Ne do të gjejmë ku je”.

Kjo video është publikuar në kohën kur kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, ia ka mësyrë garës për t’u bërë kryeministre e Republikës së Kosovës në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat