Dodë Gjergji thirrje politikanëve të garojnë në zgjedhje me ndershmëri

Aktuale

Dodë Gjergji thirrje politikanëve të garojnë në zgjedhje me ndershmëri

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 14:11
Dodë Gjergji

Në dyvjetorin e shenjtërimit të katedrales ”Nënë Tereza” dhe 22-vjetorit të vdekjes së saj, është mbajtur mesha solemne e festës për Shën Nënë Terezën. Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, tha se Nënë Tereza është shembulli më i mirë i jetesës, edukimit dhe shërbimit. Sipas tij, ajo ka qenë shembulli më i mirë i praktikimit të atyre që janë të shkruara në librin e shenjtë.

Derisa vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, Dodë Gjergji pati një porosi për gjithë përfaqësuesit që garojnë në këto zgjedhje.

Dodë Gjergji: Ftojmë të gjithë politikanët të garojnë me ndershmëri

“Në këto ditë, kur qytetarët e vendit tonë kanë mundësi të ri-vendosin për fatin e tyre nëpërmjet zgjedhjeve, nuk është e tepërt që t’i ftojmë të gjithë politikanët tanë të garojnë në këtë garë me ndershmëri, dhe t’i përmbahen rregullave të dashurisë, nëse duan vërtet që të na qeverisin nesër. Dhe të nxisin ose të bashkë-ndërtojnë me ne, me shpresën për një të mirë të përbashkët për të gjithë ne”, u shpreh ai.

Sipas tij, nëse besimtarit i mungon lumturia, atëherë feja është e kotë, për çka Nënë Tereza, siç thotë ai, ishte edhe simbol i lumturisë dhe bujarisë.

Dodë Gjergji:  Nënë Tereza është modeli më i mirë i jetës

“Kjo murgeshë e shenjtë mbetet modeli më i mirë i jetës dhe i jetësimit të dashurisë së krishterë në botën që e njohim ne. Por edhe lidhet mirë me shembullin dhe realizimin e asaj çfarë kemi lexuar sot në leximet e shkrimit të shenjtë”, tha ai.

Dodë Gjergji konsideron se Nënë Tereza arrinte të nxiste bujarinë te të gjithë njerëzit e botës, e po ashtu të ishte frymëzim edhe tek ata që nuk besojnë.

Dodë Gjergji: Nënë Tereza ishte dashuri për të gjitha fetë

“Nënë Tereza është shembulli më i mirë për t’u edukuar në shërbim dhe për shpirt. Jam i bindur që çdo njeri pa marrë parasysh se në cilën fe beson, ka nevojë të ketë këtë dashuri dhe të shndërrohet në burim dashurie për të tjerët, sikurse Nënë Tereza. Ajo ishte dashuri, për myslimanët, katolikët, hindutë, për gjithë njerëzit e botës. Nënë Tereza nëpërmjet këtij shembulli arriti të bëhet zjarr dashurie në botë, që me prushin e vet ngrohte zemrat dhe shpirtrat e njerëzve përreth”, tha mes tjerash ai.

Ndryshe, dy vjet më parë, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të shenjtores Nënë Tereza, në Prishtinë është shuguruar Katedralja “Shën Nëna Terezë”.  Ajo është shqiptarja e vetme që ka marrë Çmimin Nobel për Paqe, e njohur si shpirti i një nëne shqiptare që u sakrifikua për të varfrit dhe të sëmurët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat