Haradinaj: Senatorët amerikanë nuk na kërkuan ndonjë kompromis të caktuar me Serbinë

Aktuale

Haradinaj: Senatorët amerikanë nuk na kërkuan ndonjë kompromis të caktuar me Serbinë

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 15:15
Ramush Haradinaj

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka deklaruar se në takimin e djeshëm me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Ron Johnson, nuk është kërkuar ndonjë kompromis të caktuar në raport me Serbinë.

Në një konferencë për media pas takimit që pati me përfaqësuesit nga Medvegja, Haradinaj tha se në këtë takim ai ka përsëritur edhe njëherë se Kosova është shtet sovran dhe se është e gatshme për njohje reciproke me Serbinë.

Haradinaj: Senatorët amerikanë nuk na kërkuan ndonjë kompromis të caktuar

“Nuk është kërkuar ndonjë kompromis i caktuar me emër. E kam shfrytëzuar rastin me e konfirmu që Kosova është shtet sovran 100 përqind edhe që jemi të gatshëm me hy në një marrëveshje me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, nëse janë të gatshëm. Kuptohet, në rastin e marrëveshjes me i rikthy edhe marrëdhëniet tregtare. Për të tjera nuk kemi ndonjë interesim”, tha ai.

Ndërkaq për takimin e sotëm me kryetarët e partive politike nga Medvegja, mohoi të kenë biseduar për territore.

Haradinaj: Çështjen e territorit nuk e bisedojmë as me palët e brendshme e as me palët tjera

“Për fat të mirë, dialogu Kosovë – Serbi është hequr prej tavolinës, e cila e ka pasur opcion ndarjen e Kosovës, pra tavolina e z.Mogherini për një kohë është në Berlin. Pas formimit të institucioneve të reja të BE-së, do të shohim si do të rikthehet dialogu, por nuk do të rikthehet më çështja e territorit apo kufijve dhe nuk e bisedojmë këtë me askënd, as me palët e brendshme as me palët tjera”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ai tregoi se çfarë kanë biseduar me përfaqësuesit e shqiptarëve të Medvegjës.

Haradinaj: Me përfaqësuesit e Medvegjës biseduam për zgjedhjet që i kanë të dielën dhe vështirësitë e tyre

“Me përfaqësuesit e shqiptarëve në Medvegjë kemi biseduar për zgjedhjet që i kanë këtë të diel dhe për vështirësitë që i kanë shqiptarët atje për shkak se janë hequr prej listave të votuesve dhe prej adresave, me qëllim të mohimit të përfaqësimit të shqiptarëve në nivelin komunal, që është një e drejtë që iu mohohet”, bëri të ditur ai.

I pyetur nëse do të pranojë të shkojë në debat me Vjosa Osmanin, Haradinaj tha se do të ishte i mirë një debat me te gjithë kandidatët për kryeministër, i cili do të përcillej nga disa media.

Ndërkaq, duke potencuar se zgjedhjet janë afër, ai tha se duhet të ftohen qytetarët që të dalin sa më shumë në zgjedhje.

Haradinaj: Është mirë që të bëhen 4-5 media në debatin e kandidatëve për kryeministër     

“Është mirë që ndoshta të bëhen 4-5 media të Kosovës bashkë dhe të jemi pastaj ne kandidatët për kryeministër për shkak se është e pamundur me shku prej mediave në media. Me e bë një, pastaj kërkojnë edhe mediat tjera. Ne edhe ashtu kemi pak kohë për fushatë”, tha ai.

Haradinaj foli edhe për punimet në Kalanë e Novobërdës. 

Haradinaj: Për problemin në Kalanë e Novobërdës do të interesohet një njësi e policisë ose hetuesve

“Kam dëgjuar në të kaluarën se ka pasur një problem me renovimin. Ka pasur një problem dhe nuk ka qenë diçka, një lokalitet i përfunduar me punë dhe që do të rihapen ato punime. Me siguri një njësi e policisë ose e hetuesve do të interesohen për të parë se çka po ndodh, sepse edhe ne sapo e morëm lajmin”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat