Nga shoqëria civile thonë se partitë po e keqpërdorin parafushatën zgjedhore

Aktuale

Nga shoqëria civile thonë se partitë po e keqpërdorin parafushatën zgjedhore

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 19:00
Ilustrim

Ani pse me 25 shtator zyrtarisht hyjmë në fushatën zgjedhore, krerët e subjekteve politike apo kandidatët për kryeministër veçse kanë filluar takimet me qytetarë nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës.

Nga shoqëria civile dhe njohësit e çështjeve politike kjo po konsiderohet si shfrytëzim i pjesës së hirtë e po ashtu u kërkua që kjo situatë të rregullohet me ligj pasi që ata haptas po bëjnë fushatë zgjedhore.

Kandidatët për kryeministër nga subjekte të ndryshme politike veçse kanë filluar takimet me elektoratin e tyre. Me këtë rast ata po shprehin vendosmërinë se subjekti i tyre do ta formësojë Kosovën, ani pse zyrtarisht fushata zgjedhore fillon me 25 shtator.

Nga “Demokracia Plus” Jetmir Bakija këtë situatë e sheh si shfrytëzim të pjesës së hirtë nga subjektet politike, megjithatë nuk e konsideron të jashtëligjshme pasi këto të fundit nuk po e shpalosin programin e tyre gjatë takimeve.

“Ne bëjmë thirrje që partitë të dalin në terren tek strukturat e tyre, por ta shfrytëzojnë këtë kohë për të dëgjuar kërkesat e elektoratit të tyre se çfarë kërkojnë prej tyre dhe nëse vijnë në qeveri, t’i reflektojnë këto kërkesa në programet e tyre. Mirëpo nëse në këto momente po japin mesazh politik për zgjedhjet që kjo i bie premtime konkrete atëherë kjo është jashtë ligjit dhe mund të raportohet në KQZ. Ndaj këtyre shkeljeve parashikohen gjoba me ligj”, tha, Jetmir Bakija.

Me këtë rast njohësi i çështjeve politike Rasim Alija, thotë se subjektet politike po bëjnë haptas fushatë zgjedhore ndërsa kërkon që reforma zgjedhore ta rregulloj ligjërisht këtë pjesë, duke e konsideruar padrejtësi ndaj subjekteve të voglave.

“Mos rregullimi i çështjes së para fushatës me ligjin e përgjithshëm mbi zgjedhjet është termi që po e keqpërdorin subjektet politike, meqenëse Ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk e sanksionon para fushatën. Pra as nuk e lejojnë e as nuk e ndalojnë, dhe mbi këtë bazë subjektet e keqpërdorin këtë pjesën e para fushatës që quhet. Kjo do të thotë se subjektet politike janë në fushatë zgjedhore prej dy muajsh”, tha Rasim Alija.

Fushata zgjedhore zgjat 10 ditë dhe përfundon me 4 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat