Abdixhiku: Propozimi i Kurtit ishte i pakuptimtë - garën nuk e kemi me VV-në, por me PDK-në - Bota Sot
Abdixhiku: Propozimi i Kurtit ishte i pakuptimtë - garën nuk e kemi me VV-në, por me PDK-në

Aktuale

Abdixhiku: Propozimi i Kurtit ishte i pakuptimtë - garën nuk e kemi me VV-në, por me PDK-në

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 00:18
Lumir Abdixhiku

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur të pakuptimtë ofertën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, që të garojnë me listë të përbashkët por se kryeministri të caktohet nga populli përmes votave.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se propozimi i Vetëvendosjes ka qenë më shumë një show publik me të cilin do të bëhej garë e brendshme mes dy partive.

Ai ka thënë se në pozicionin e tyre nuk kanë mundur të pranojnë asgjë më pak se mandatarin për kryeministër.

“Propozimi i fundit ka qenë më shumë një show publik. Ajo e bënte njëfarë gare të brendshme krejtësisht të panevojshme. Nëse ne nuk mund të merremi vesh për kandidatin për kryeministër, nuk e di qysh mund të merremi vesh për gjëra tjera”, ka thënë ai, duke shtuar se në dy listat e ndara gara do të jetë më e hapur.

Ai tutje ka potencuar se garën nuk e kanë me Lëvizjen Vetëvendosje, por me PDK-në.

“Beteja e LDK-së është me PDK-në dhe do të jetë ose LDK ose PDK”, ka thënë ai.

Ai thotë se është e habitshme se si Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranoi Vjosa Osmanin, por shton se kjo nuk e bënë më të dobët LDK-në.

Ai tutje ka thënë se LDK-ja ishte e sinqertë me Vetëvendosjen.

“Ne me VV-në kemi qenë opozita më efikase dhe më e qytetëruar që ka pasur Kuvendi i Kosovës. Kemi ndaluar shumë procese të dëmshme për Kosovën. Ka pasur frymë bashkëpunimi dhe si e tillë është bartur te Kurti e Mustafa të cilët kanë pasur përafrim për ndërtimin e një qeverie të ardhshme”, thotë ai,

Abdixhiku thotë se zgjedhja e Vjosa Osmanit si mandatare e LDK-së për kryeministre, nuk ka qenë e vështirë duke shtuar se kandidimi i saj nuk ishte artificial por që buroi nga diskutimi i brendshëm, të cilin e cilëson si të natyrshëm dhe demokratik.

Ai ka thënë se dallimet nga fushatat e kaluara janë evidente. Abdixhiku ka thënë se parafushatën e kanë nisur me shëtitjen nëpër qytetet më të mëdha të Kosovës, derisa njofton se kanë filluar me përgatitjen e brendshme për fushatën zyrtare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...