Gazmend Islami në listë të Vetëvendosjes si kandidat për deputet

Aktuale

Gazmend Islami në listë të Vetëvendosjes si kandidat për deputet

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 14:47
Gazmend Islami dhe Albin Kurti

Kryetari i Balli Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, ka njoftuar se partia e tij ka hyrë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai ka treguar edhe pikat në të cilat janë pajtuar me partinë e Kurtit, ndërsa vet Islami ka marr numrin 86 në listë.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, bashkëveprimtarë e miq,

Balli Kombëtar Demokrat, në këto zgjedhje parlamentare, do të garojë në listën e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje. Qëllimi ynë i vetëm dhe final ishte që sado pak të ndihmojmë në çkapjen e shtetit, të kapur nga krimi i organizuar nga partitë të cilat tash e 20 vjet e kanë vrarë frymën shqiptare. Jemi bashkuar rreth një kauze dhe kauza e vetme është që t’i hapim rrugë shtetit të së drejtës, lirisë dhe frymës qytetare evropiane.

BKD ka gjetur bashkimin në këto zgjedhje me Lëvizjen Vetëvendosje, në pikat në të cilat pajtohemi si në vijim:

1. Çkapja e shtetit
2. Zhvillimi ekonomik
3. Rrugëtimi drejt bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë
4. Burgosjen e të gjithë politikanëve kriminelë, të cilët kanë përfituar në kurriz të popullit
5. Strategjinë për ta dërguar Kosovën drejt rrugës evropiane

Ju bëj thirrje të gjithë atyre mijëra familjeve balliste të cilat e kanë dëshmuar vetën për liri dhe bashkim kombëtar, që në këto zgjedhje t’ia kthejmë dinjitetin atdheut, t’i kthejmë atdheut frymën dhe shpresën, t’i kthejmë atdheut krenarinë, andaj votoni ata të cilët do të jenë vazhdues të rrugës së idealeve të bijve tuaj të rënë për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Unë, si kandidat për deputetë në këto zgjedhje të 6 tetorit, me sinqeritetin më të madh do të garojë që si pjesë e legjislaturës së ardhshme, të ndikojë direkt në përmirësimin e jetës së qytetarit, duke larguar ferrin që na e kanë sjellë politikat e papërgjegjshme tash e 20 vite në mesin tonë.

Do të jem zëri i atyre që tash e dy dekada janë përballur me të padrejtën, ndërsa me djersën e tyre kanë fituar oligarkë dhe kriminelë të cilët i kemi pasur deri sot në postet më të larta të vendit.

Do mundohem me transparencën më të madhe që shqiptarët e diasporës të krenohen me vendin e tyre dhe t’ua kthejë dinjitetin që këta pushtetarët e deritanishëm ua vodhën padrejtësisht. Do mundohem që përmes pozitës sime si deputet, t’i tregojë botës se diaspora shqiptare është ajo që e ka mbajtur vendin gjallë tash e pothuajse tri dekada.

Jam i bindur që së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, do e kthejmë Kosovën ashtu si zemra e çdo shqiptari. Krenare, heroike, të drejtë dhe të ndërgjegjshme.

Na priftë e mbara!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat