Premtimi i Haradinajt nëse bëhet kryeministër

Aktuale

Premtimi i Haradinajt nëse bëhet kryeministër

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 19:16
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri në detyrë dhe njëkohësisht kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, në tubimin për zyrtarizimin e kandidaturës së tij për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD ka thënë se kur e mori postin e kryeministrit, atëkohë punonte një dialog i rrezikshëm për ta copëtuar Kosovën.

“Me marrjen e pushtetit në shtator të vitit 2017, atëkohë një dialog veç punonte për me e coptu Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Përveç kësaj Haradinaj tregoi edhe sukseset e qeverisë së tij.

“Në shtatorin e 2017’së, Kosova ishte në terr atëherë kur po hynim në dimër. Kosova nuk e kish ushtrinë e vet, Kosova nuk e kish Trepçën, pasuritë e tjera të Kosovës nuk ishin tonat”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu nuk e la pa e përmendur edhe taksën.

“Deri në atë kohë ne kemi punuar për ekonominë e Serbisë, taksa 100% ka qenë e nevojshme, ajo është sovranitet dhe duhet të mbetet deri në njohje”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj: AAK-PSD do të bëjë rritje të pagave për 10 për qind çdo vit

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, Ramush Haradinaj, ka premtuar se AAK-PSD do të rritë pagat në vend çdo vit, nëse e merr pushtetin pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.

“Synojmë çdo vit rritjen e pagave për 10 për qind”, ka deklaruar Haradinaj, në tubimin e parë të koalicionit AAK-PSD, në Prishtinë.

Ai ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë të koalicionit që udhëheq është “lista e shtëpisë”.

“Këta janë njerëzit e Kosovës. Këta janë njerëzit e pragut të Kosovës, janë njerëz të dijes, të guximit, të përkushtimit. Këta janë njerëz që e rrisin punësimin”, është shprehur Haradinaj.

Ahmeti: Haradinaj dha dorëheqje, sepse nuk lëshoi pe

Kryetari i Prishtinës dhe kreu i PSD’së, Shpend Ahmeti, ka mbajtur një fjalim në zyrtarizimin e kandidaturës së Ramush Haradinajt nga koalicioni AAK-PSD. Ai ka thënë se Haradinaj pikërisht për të mos lëshuar pe, dha edhe dorëheqje.

Gjithashtu Ahmeti tha se përveç presionit nga jasht për të hequr taksën, presion kishim edhe nga brenda.

Image

“Ramushi dha dorëheqje për të mos lëshuar pe, por ne vërtetuam se për ta mbrojtur Kosovën duhet guxim”, është shprehur Ahmeti.

Edhe njëherë Ahmeti tregoi se presion për heqjen e taksës bënin vet liderët e Kosovës.

“Kur presion na bënë jo vetëm qarqet ndërkombëtare, presion na bënin edhe disa njerëz të Kosvoës”, ka thënë Ahmeti.

Kreu i Prishtinës tha se për 100% taksë, nevojitet edhe 100% guxim.

“Taksa 100%, e 100% nevojitet edhe guxim”, shtoi Ahmeti.

Shpend Ahmeti: Do ta rrisim pagën minimale dhe do ta mbrojmë punëtorin

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, gjatë fjalimit të tij në tubim për prezantimin e Ramush Haradinajt si kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, ka thënë se ata do ta rrisin pagën minimale dhe do ta mbrojnë punëtorin.

“Për ta mbrojtur Kosovën, nevojitet guxim. E guximit duhet t’ia shtojmë edhe dijen sepse kemi probleme që duhet t’i zgjidhim bashkë. Që ta mbrojmë punëtorin e ta rrisim pagën minimale” tha Ahmeti në këtë tubim të koalicionit.

Ai ka shtuar se bashkimi mes dy subjekteve është bërë për konceptin 100% shtet, e që nuk është vetëm simbolike por ka domethënie të madhe.

“Jemi bashkuar për një koncept që po e shihni, ndoshta simbolikë por ka domethënie të madhe. Neve na duhet 100% guxim, 100% dije e 100% përkushtim për ta përfunduar sovranitetin tonë” tha ai.

Kreu i PSD gjithashtu shtoi se ata nuk do të lëshojnë asnjë pëllëmbë të Kosovës dhe nuk do të lejojnë që shteti jonë të trajtohet si vendi i rendit të dytë.

“Nuk kemi lëshuar asnjë pëllëmbë të Kosovës. Që Kosova të trajtohet e barabartë e jo e rendit të dytë” tha ai.

Sot AAK dhe PSD mbajnë tubim për prezantimin e kandidatit për kryeministër dhe kandidatëve për deputetë.

***

Koalicioni AAK-PSD nominon Ramush Haradinajn për kryeministër, po ashtu prezantohet programi politik si dhe kandidatët për deputetë të këtij koalicioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat