Ish komandanti i UÇK-së në Llap, në listë për deputetë të Vetëvendosjes

Aktuale

Ish komandanti i UÇK-së në Llap, në listë për deputetë të Vetëvendosjes

Nga: D.RR Më: 8 shtator 2019 Në ora: 11:14
Fatmir Humolli dhe Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka prezantuar sot Fatmir Humollin, ish komandat i UÇK-së në zonën operative të Llapit, si kandidat për deputet në listën e Vetëvendosjes, përcjellë “Bota sot”.

Fatmir Humolli është kryetar i Iniciativës Qytetare për Ndryshime.

Ai dha dorëheqje nga AAK-ja për shkak të votimit të demarkacionit nga Ramush Haradinaj.

Postimi  i Kurtit:

Fatmir Humolli do të garojë për deputet të Kuvendit të Republikës në listën e Lëvizjes sonë. Ai është kryetar i Iniciativës Qytetare për Ndryshime.

Biografia e tij është e rrallë. Qysh në shkollë të mesme ka shkruar parulla e ka shpërndarë trakte kundër pushtuesit serb. Në vitin 1981 bashkë me shokë formoi grupin ilegal ‘’Kosova e Re’’, gazeta e të cilit quhej “Përpjekja”. Në moshën 18 vjeçare kur po kryente shërbimin ushtarak obligativ të asaj kohe, u arrestua dhe dënua me tre vjet e gjysmë burg. Që nga viti 1993 e deri në mbarim të luftës ishte në ilegalitet. Në vitin 1994 inkuadrohet në LKÇK, në vitin 1997 zgjedhet përgjegjës ushtarak i saj, kurse në maj 1998 bën marrëveshje që i tërë potenciali ushtarak i LKÇK-së të shtrihet nën emblemën e UÇK-së. Në ballafaqim direkt me forcat serbe në Prishtinë ku bie heroikisht Agron Rrahmani, ndonëse edhe vetë i plagosur rëndë, Fatmir Humolli arrin ta tërheq kufomën e Agronit dhe nuk e lë që ajo të bie në duart e armikut.

Gjatë luftës, Fatmir Humolli punoi në organizimin e UÇK-së në zonën e Llapit, Shalës, në rajonin e Qyqavicës e të Prishtinës, si dhe në zonën e Karadakut. Në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm formoi qendrën stërvitore në Zhilivodë që njëherit ishte qendra e parë e këtij lloji në Kosovë.

Pas luftës, në vitin 2003, u zgjodh kryetar i LKÇK-së, kundërshtoi UNMIK-un dhe pushtetet servile vendore, si dhe gjithmonë u angazhua për bashkim kombëtar. Në mars të vitit 2018, u distancua nga ish kryeministri kur ky i fundit ndërroi anë dhe pranoi demarkacionin ‘Meha’ me Malin e Zi.

Fatmir Humolli është parimor, trim dhe i qartë politikisht. Shumë mirë që jemi bashkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat